Miratohet raporti tremujor i RTK-së (VIDEO)
Venera Adili/ RTK
Është miratuar raporti i shpenzimeve të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën prill-qershor 2022 dhe kërkesa për ndarje të mjeteve buxhetore për periudhën korrik-shtator të po këtij viti. Komisioni për buxhet, punë dhe transfere ka kaluar këto raporte pas raportimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe drejtorit gjeneral ku u theksua se RTK-ja është duke kaluar në një periudhë të reformës së thellë derisa ka urgjencë buxhetore.
Me vetëm një abstenim dhe 6 vota për ka kaluar raporti i 3 mujorit të fundit të RTK-së derisa anëtarë të komisionit për buxhet njëzëri e kanë votuar kërkesën e Radiotelevizionit për ndarje të mjeteve buxhetore për periudhën korrik-shtator të këtij viti.
Kryetari i bordit Besnik Boletini dhe drejtori i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj kanë raportuar fillimisht para deputetëve të komisionit parlamentar për të dyja raportet duke theksuar se po punohet për menaxhim më të mirë të buxhetit.
“Tremujorëshi i kaluar është përmbyllur me plus 67 mijë euro, por shqetësuese mbetet fakti se rreth 87 përqind e buxhetit shkon në paga të punëtorëve”, tha Boletini.
“RTK ka ende 1.6 milionë borxhe të trashëguara. Është e vërtetë se ne do të duhej t’i paguanim këto borxhe, por ne jemi duke funksionuar me buxhet emergjent. Këtë vit do të kemi mundësi të planifikojmë më mirë buxhetin për vitin tjetër. Për momentin nuk mund t'i paguajmë borxhet sepse nuk mund të jemi selektiv, por do të bëjmë marrëveshje me të gjithë për t'i paguar”, tha Ahmetxhekaj.
Kryetari i komisionit për buxhet, Armend Muja, ka kërkuar që të bëhet një mënyrë tjetër e planifikimit të buxhetit derisa edhe të tjerë deputetë kërkuan sqarime.
Ndërkaq Besnik Boletini, kryetar i Bordit të RTK-së shtoi se presim diku në nëntor të kemi modelin e financimit bashkë me ligjin.
Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtor i përgjithshëm i RTK-së tha se do të bëhet një riorganizim së shpejti që nënkupton reformë.
Halil Bajramaj, Zyrtarë i lartë financiar në RTK tha se po i kursejmë këto mjete pasi ende nuk kemi marrë miratimin për pagesën e ardhshme nga kuvendi.
Interesimit të deputetit Mërgim Lushtaku për spotet e fushatës “Liria ka emër”, i është përgjigjur kryetari i Bordit duke theksuar se spotet vazhdojnë të transmetohen, por periudha kohore e emetimit të tyre varet edhe nga obligimet e marketingut.
Ndërsa nënkryetarja e Bordit, Arta Berisha, theksoi se ndërkohë RTK-ja është duke krijuar një njësi për dokumentare historike me fokus të veçantë luftën e fundit në vend.























