U diskutua Rezoluta që hedh poshtë pretendimet e Dick Marty
BKT
Lajme

U diskutua Rezoluta që hedh poshtë pretendimet e Dick Marty

Shqipe Gashi/RTKlive

Sonte në emisionin “RTK Prime” është trajtuar tema e rezolutës së propozuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, e cila pritet të votohet nesër në Kuvendin e Shqipërisë. Me këtë rezolutë do të hidhen poshtë pretendimet e ish-senatorit Dick Marty për trafikim të organeve njerëzore në formë të paligjshme nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Synimi i Kuvendit të Shqipërisë është që kjo rezolutë të shkojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe të bëhet një rezolutë tjetër e cila e zhbën atë të ish-senatorit Marty.

Se a do të jetë kjo e mundur, cilët janë hapat që duhet të ndiqen dhe çfarë momentumi mund të krijojë kjo rezolutë në raport me Gjykatën Speciale, për këtë temë opinionet e tyre i dhanë profesori i së drejtës ndërkombëtare, Ismet Salihu, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati dhe avokati Artan Qerkini.

Ndërkaq, në lidhje të drejtpërdrejtë nga Tirana është inkuadruar edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, kurse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është paraqitur aktivisti Ukë Lushi.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Ismet Salihu theksoi se kjo rezolutë është një sugjerim i Parlamentit të Shqipërisë drejtuar Këshillit të Evropës.

 "Kjo rezolutë është një mendim politik, nuk ka forcë juridike obligative, por përkundër kësaj kjo nismë e kryeministrit Rama është e mirë sepse në një mënyrë e animon opinionin ndërkombëtar për një akuzë shumë të rëndë, e cila pretendohet t’i vishet njerëzve tanë, pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët mjerisht tani gjenden në Hagë. Lidhur me këtë edhe titulli i raportit të Këshillit të Evropës, i cili në rajon njihet si raporti i Dick Martyt thotë kështu 'trajtimi çnjerëzor dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore' d.m.th në emërtimin e këtij dokumenti bazë që është aprovuar në Këshillin e  Evropës figuron emërtimi i trafikimit të organeve njerëzore", ka thënë Salihu.

Avokati Artan Qerkini tha se pajtohet me profesorin Salihu në lidhje me forcën obligative të rezolutave.

"Shumica e tyre shprehin qëndrime politike, mirëpo të mos harrojmë se disa rezoluta kanë edhe karakter obligativ. Ta zëmë Kosova nëntë vite është qeverisur me Rezolutën 1244. Neni shtatë  i ligjit për Dhomat e Specializuara juridiksionin ligjor e bazon në Raportin e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës që në fakt këtij raporti i jep forcë obligative sepse e bazon juridiksionin ligjor të Gjykatës pikërisht në këtë raport. Pse mendoj se Republika e Shqipërisë ka interes legjitim për një rezolutë të këtillë në Këshillin e Evropës arsyet janë të shumta: Raporti i Dick Martyt pretendon se janë kryer krime monstruoze në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe Shqipëria ka interes legjitim të pastrohet nga këto pretendime sepse me këto pretendime po mundohet që të provohet fakti se Shqipëria nuk e ka kontrolluar një pjesë të territorit të vet dhe ka toleruar që në territorin e vet të kryhen krime", ka vlerësuar Qerkini.

Taulant Balla theksoi se 11 vite pas prezantimit të raportit të ish-deputetit zviceran, Dick Marty, që në fakt buronte nga disa tregime të ish-prokurores Carla del Ponte,verifikimet kanë treguar se në veri të Shqipërisë, as në Kukës as në Qehanë as në Burrel në Rribë nuk kanë ndodhur krimet e pretenduara për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore.

 "Në këtë kontest të gjendur pas 11 vitesh tashmë është një moment tërësisht i ri. Parimi i drejtësisë është se drejtësia duhet respektuar por ka një kohë kur këto hetime do të përfundojnë në rastin e pretendimeve që lidhen me Shqipërinë që tashmë nuk janë as pretendime sepse ato janë verifikuar dhe është shumë e nevojshme që Kuvendi i Shqipërisë të iniciojë një proces dhe unë dua ta sqaroj se ajo se çfarë do të ndodhë nesër në Kuvendin e Shqipërisë është fillimi i një procesi, pra miratimi i rezolutës nesër është vetëm hallka e parë e ç'bërjes dhe e hedhjes poshtë e konsiderimit si të papranueshme të gjitha atyre pretendimeve të reflektuara në raport dhe në rezolutën përkatëse të miratuar më shumë se 11 vite me herët", ka thënë Balla.

Sipas tij hallka e dytë  është inicimi i rishikimit të rezolutës në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës. "Është një betejë, që do ta quaja të vështirë por shumë e rëndësishme e pazëvendësueshme. Madje në kuptimin e rolit dhe detyrës që ka Kuvendi i Shqipërisë në rastin në fjalë për një çështje që ne kemi të gjitha provat e duhura për të shkuar përpara në kuptimin e asaj që thuhet në atë raport dhe në atë rezolutë", ka shtuar Balla.

Ndërkaq, Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati tha se Rama e kishte shpalosur me herët në Prishtinë një plan veprimi.

“Rama në Prishtinë në promovimin e librit të zotit Enver Hoxha e pati shpalosur një plan veprimi që nuk e kisha dëgjuar moti prej një politikani. Kështuqë konkretisht tash po i përmbahet gati pikë për pikë. Aty ai tha edhe një gjë interesante e cila po ashtu mund të jete indikative dhe mund të implikoj këtë kontestin ndërkombëtar".

Ai tha se Shqipëria viteve të fundit është rrit në peshën e saj politike në rajon dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. “Hiqe këtë suksesin e fundit dje është një sukses i vonshëm, por që gjithsesi e rrit fuqinë e saj sepse atë që e tha Edi Rama, e tha në konferencën për shtyp në Bruksel dhe kjo i jep një peshë shumë të jashtëzakonshme”,  vlerësoi Murati.


MË SHUME NGA Lajme