Debate dhe akuza për çështjen e Kosovës në seancën plenare
BKT
Denion Ndrenika/RTK/Tiranë
Shqipëri

Debate dhe akuza për çështjen e Kosovës në seancën plenare

Denion Ndrenika/RTK/Tiranë

Kryeministri Edi Rama akuzoi Partinë Demokratike opozitare si partia që i ka ngulur thikën Kosovës përherë.

Në seancën plenare të Kuvendit, ku diskutohet projektrezoluta kundër raportit të senatorit Dik Marti për kinse krime të sajuara të UÇK-së, kryeministri tha se sa herë ka kriza të saj, PD kujtohet për Kosovën.

"Sa herë ka pasur krizë dhe ju është dashur ta kapërceni keni futur në mes Kosovën. Po të shohësh historinë rezolutave sheh edhe ndryshimin si nata me ditën mes jush dhe nesh", tha Rama. 

Po ashtu, ai kërkoi që PD të deklarohet qartë nëse ishte pro apo kundër qëndrimit të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë.

Ai theksoi se PD ka harruar që Kosova "si shtet i lirë, sovran, demokratik është krijuar nga ata, pa të cilët as ju as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap", - raporton korrespondenti i RTK-së, Denion Ndrenika.

Kryeminstri iu drejtua deputetëve demokratë gjithashtu se "nëse ju bashkë me ata në Prishtinë doni t’i bëni, bëjini, ne nuk bëjmë përpara se për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores, duhet dakordësia e ndërkombëtarëve".

Reagimi i kryeministrit erdhi pasi Enkelejd Alibeaj, kryetar i deputetëve të PD-së,kërkoi që në projektrezolutë të përfshihej gjenocidi serb në Kosovë, sepse prej këtij gjenocidi erdhi dhe u sajua raporti i senatorit Dik Marti.

Alibeaj pyeti kryeministrin se "përse keni frikë ta përmendni dhe ta debatoni" dhe se "përse ma heq të drejtën për të paraqitur amendamente?", referuar propozimit për përfshirjen e gjenocidit në rezolutë.

"I heq të drejtën të gjithë deputetëve për të shprehur mendimin e tyre. Je duke bërë shkelje, t’i je duke gënjyer. Nga ana e kolegëve të PD nuk pati asnjë problem. Ju keni frikë, përse keni frikë të pranoni që në atë vend, gjakun tonë ka ndodhur gjenocid serb, kujt po ja bëni nderin. Mund ta kesh butonin aty, por është historia ajo që do të gjykojë", tha Alibeaj.


MË SHUME NGA Shqipëri