Paraqitje e shkëlqyeshme e Dritës në Belgjikë, barazon me Antwerpin
Blerim Halimi / RTKlive
(E plotësuar, ora 20:52) – Skuadra nënkampione e Kosovës, Drita ka arritur ta mbajë të paprekur portën e saj në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të Ligës së Konferencës në përballje me skuadrën gjigante belge, Royal Antwerp.
Përkundër dominimit të ekipit vendas, veçmas në pjesën e dytë, ndeshja është mbyllur baras, 0:0. Ky rezultat jep shpresa të mëdha për skuadrën e Ardian Nuhiut, që në ndeshjen e kthimit pas një jave në stadiumin “Fadil Vokrri” të shkaktojë befasi të këndshme në këtë fazë të garave dhe të kalojë tutje në rrethin e tretë. Futbollistët e Dritës gjatë tërë ndeshjes kanë treguar lojë shumë të disiplinuar taktikisht, me mbrojtje të ngjeshur dhe duke rrezikuar disa herë portën belge nëpërmje kundërsulmeve.
Antwerp-Drita, mbyllet pa gola pjesa e parë
(E plotësuar, ora 19:48) Pjesa e parë e ndeshjes së parë të rrethit të dytë të Ligës së Konferencës ndërmjet skuadrës belge Antwerp dhe Dritës është mbyllur baras, 0:0.
Skuadra e Ardian Nuhiut pati paraqitje shumë të mirë, duke bërë lojë të disiplinuar dhe duke rrezikuar portën kundështare nëpërmjet kundësulmeve. Në anën tjetër, belgët e dominuan lojën, por pa arritur të gjejnë rrugën e golit.
Drita kërkon befasinë ndaj Antwerp, ja formacionet zyrtare (Foto)
/KP/
Pas Ballkanit që luajti të martën ndaj La Fioritas, ku në ndeshjen e parë si mysafir triumfoi me rezultat 4:0, rrugëtimin në Ligën e Konferencës sot e vazhdon skuadra tjetër kosovare, Drita.Skuadra nga Gjilani do të ballafaqohet me skuadrën belge Antwerp, që është një kundërshtar mjaft i vështirë në këtë garë.
Trajneri i Dritës, Ardijan Nuhiu, ka thënë para ndeshjes se skuadra është shumë e motivuar dhe se objektivi i tyre është që të arrihen suksese sa më të mëdha në këtë garë, dhe pse jo të shkaktojnë befasi.
Sa i përket ndeshjes së sotme, tani të dy trajnerët kanë bërë të ditur se si do të rreshtojnë lojtarët, dhe formacionet zyrtare i gjeni më poshtë.

|























