Haradinaj falënderon Metën për projektet mes Shqipërisë dhe Kosovës
BKT
Lajme

Haradinaj falënderon Metën për projektet mes Shqipërisë dhe Kosovës

Kimete Kasumi/ RTKlive

(E plotësuar: ora: 20:20) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se me Ilir Metën kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer gjatë gjithë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se presidentin Meta në vizitën e tij përmbyllëse si President i Shqipërisë, e ka falënderuar për gjithë angazhimin e tij për të shtyrë përpara agjendën euroatlantike të Kosovës dhe projekte të interesit të përbashkët Kosovë - Shqipëri.

“Po ashtu e urova që Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësim në BE, si dhe i urova sukses në rrugëtimin e tij të mëtutjeshëm”, ka shkruar Haradinaj.

LDK-ja vlerëson lart kontributin e Metës për Kosovën

(E plotësuar: ora:19:50) Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, me bashkëpunëtorë pritën sot në takimin përmbyllës të mandatit të tij, Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Në emër të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nënkryetari Muhaxheri e falënderoi presidentin Meta, dhe vlerësoi lart kontributin e tij, në të gjitha proceset për vendin tonë, si dhe angazhimin e tij në thellimin e raporteve vëllazërore mes dy shteteve.

 

​Meta: T’i fuqizojmë sa më parë marrëveshjet Kosovë-Shqipëri

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja, Saranda Bogujevci, ambasadori Skënder Durmishi dhe këshilltarët, priti sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili së bashku me bashkëpunëtorët po qëndron për një vizitë zyrtare në vendin tonë me rastin e përmbylljes së mandatit të tij.

Kreu i Kuvendit dhe presidenti Meta shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon dhe më gjerë, ecurinë e proceseve integruese dhe domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve përballë proceseve që kanë përpara vendet tona.

Kryetari Konjufca i shprehu mirënjohje presidentit Meta për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës jo vetëm si president i Shqipërisë, duke i dëshiruar suksese në angazhimet e ardhshme.

Nga ana e tij, presidenti Meta e falënderoi kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe vuri në pah, siç tha, sukseset e arritura së bashku dhe nevojën e një bashkëpunimi sa më të ngushtë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

“Gjithçka e lidhë Shqipërinë me Kosovën. Tërësia identitare, historia, gjuha, besimi, kultura, tradita, zakonet, interesat dhe perspektiva euroatlantike. Është e rëndësishme të bashkëpunojmë sa më shumë, t’i fuqizojmë sa më parë marrëveshjet e ndërsjella dhe të mos krijojmë debate të panevojshme”, theksoi presidenti Meta, thuhet në komunikatën për medie.

Më pas, presidenti Ilir Meta iu adresua deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në një seancë të veçantë, e cila u organizua me rastin e vizitës së tij të fundit në këtë detyrë.


MË SHUME NGA Lajme