Opozita në Skenderaj kundërshton pushtetin-Video
Ahmet Maholli/ RTK
Komuna e Skënderajt ka vendosur që të japë prona për shfrytëzim falas për investitorët në fushën e prodhimit. Opozita nuk pajtohet, duke e quajtur të gabuar vendimin e kryetarit Fadil Nura, sepse s’ka më prona të komunës, ngase janë dhënë të gjitha për ndërtim.
Një parcelë në Polac të Skenderajt, e ka dhënë komuna falas për ndërtimin e një fabrike për përpunimin e drurit në vlerë prej 4 milionë eurosh.
Ky ishte ndër premtimet kryesore të kryetarit Fadil Nura para se të vinte në pushtet- dhënia e pronave për shfrytëzim falas për investitorët në fushën e prodhimit.
“Politikë kryesore e jona është krijimi I vendeve të rjea të punës, dhe si do të bëhet kjo, kjo është analizuar mirë, në bazë të kompetencave që kanë komunat në fushën e administrimit të pushtetit lokal. Komunat kanë të drejt të japin prona falas në fusha të caktuara, e në këtë rast në fushën prodhimtarisë, që nënkupton fabrikat ose për investitorët e ndryshëm që janë të interesuar të investojnë në Skenderaj”, tha për RTK Fadil Nura, kryetar i Skenderajt.
Por, me këtë vendim të kryetarit Nura nuk po pajtohet opozita duke thënë se edhe nëse është duke u përmbushur ky premtim, komuna nuk mund të japë më prona falas, pasi sipas tyre ato janë dhënë për ndërtim, ndërsa janë lënë anash projektet e nisura nga qeverisja e kaluar.
“Fillimisht premtimi është I paqëndrueshëm, sepse prona komunale nuk mund të jepet falas, ajo jepet vetëm në këmbim të një investimi shumë të madh I cili gjeneron të ardhura për interesin e përgjithshëm të komunës.
“Komuna jonë veç i ka shpenzu pronat, kjo qeverisje që po premton prona, nuk ka më prona, sepse i ka dhënë për banesa e për investime, madje kur kanë ardhur sërish në pushtet, ky ka nënkuptu se dhënien e pronave falas do të vazhdojë për banesa qysh ka dhënë në fillim, por, u desh t’i dorëzohen disa lënë në prokurori që të ndalet avazi që janë kthy për të vazhduar pas katër vitesh”, tha Hysni Mehani nga Dega e VV-së Skenderaj.
“Në mandatin e kaluar, lista Bekim Jashari është munduar për Parkun e Biznesit në Marinë, e i cili tash nuk është në prioritet të kryetarit Fadil Nura në katër vitet e ardhshme, që do të thotë se sa i përket këtyre pronave, nuk ka lëviz asgjë”, tha Naser Bajraktari nga Lista Bekim Jashari.
Por, Nura, pavarësisht kritikave të opozitës, thotë se do t'i jetësoje projektet e tij.
“Kemi një fabrikë në vlerë prej 4 milionësh, e cila është procedurë të marrjes së lejes që ka marrë 1.5 hektarë për fushën e prodhimit, dhe kjo pronë është dhënë në procedurë rë rregullt ligjore, prapë vendimi kuvendit, është marrë konfirimi I MPL, kemi bërë kontratën dhe investitori pritet që në atë parcel mund të krijojë diku 100 vende të reja pune”, tha Fadil Nura, kryetar i Skenderajt.
Përderisa opozita nuk shpreson se mund të ketë zhvillim të Skenderajt, kryetari Nura thotë se fabrikat do të gjenerojnë vende të reja pune dhe të rinjtë të mos ikin jashtë vendit, ndërsa investitorët nuk kanë të drejtë ta destinojë pronën për veprimtari të tjera, përveçse në fushën e prodhimit























