Alarm i rremë për bombë në kompleksin e Universitetit të Prishtinës
Afet Bela / RTKlive
(E plotësuar ora 21:55) I rremë ishte alarmi për bombë në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
"Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata ka rezultuar të jetë e rrejshme, andaj me urdhër të prokurorit është iniciuar rast Lajmërim apo kallëzim i rremë", tha për RTKlive Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Alarm për bombë në kompleksin e Universitetit të Prishtinës
Mbrëmjen e sotme Policia e Kosovës ka pranuar informata për shpërthim të mundshëm në Kompleksin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për RTKlive se rreth orës 19:30 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Kompleksin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
"Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën", tha ajo për RTKlive.























