Rama falenderoi 1200 vrojtuesit e certifikuar në plazhet e Shqipërisë
Shqipe Gashi/RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama falënderoi sot në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Mbytjeve 1200 vrojtuesit shqiptarë të certifikuar, që kryejnë detyrën e tyre në plazhet përgjatë vijës bregdetare.
Rama përmes një postimi në rrjetin social facebook tha se vrojtuesit kanë rol të pazëvendësueshëm në plazhe.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Parandalimit të Mbytjeve një falënderim për mbi 1200 vrojtuesit e certifikuar që zgjedhin këtë detyrë fisnike dhe për ndihmën e çmuar që japin çdo ditë në plazhet e gjithë vendit. Vrojtuesit shpëtojnë jetë, shmangin fatkeqësitë dhe i bëjnë pushimet tona të sigurta. Prandaj kanë rol të pazëvendësueshëm në plazhe”, u shpreh Rama .
Ai theksoi se “bashkitë dhe bizneset turistike jo vetëm e kanë detyrim ligjor rekrutimin e vrojtuesve në plazhe, por ta konsiderojnë prioritet absolut së bashku me pushuesit që duhet të vlerësojnë punën dhe paralajmërimet e tyre”. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar në vitin 2019 gjithkush që merr në menaxhim një stacion plazhi ka detyrimin të sigurojë edhe vrojtuesin e plazhit po ashtu, së bashku me infrastrukturën përkatëse.























