Gërvalla prezanton projektet, e quan mërgatën bekim të Kosovës
Donika Sherifi/RTK
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, prezantojnë dy projekte që lidhen me diasporën.
Gërvalla gjatë prezantimit të projekteve tha se Kosova nuk do të mund të bëhej pa kontributin e mërgatës.
Sipas saj mërgata ndihmoi familjet në nevojë dhe ndihmoi në ndërtimin e shtetit. Mërgata luajti rol fondamental për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës në përgatitjen profesionale, ka thënë ajo.
“Ishin djemtë e vajzat e mërgatës ashtu si ata të Kosovës, që iu bashkuan luftës së UÇK-së duke dëshmuar që mërgata është pjesë e pandashme e Kosovës dhe sot kaq vite pas, mërgata luan rol në rrugëtimin e Kosovës”, shtoi Gërvalla.
Gërvalla tha se përvoja në shtetet demokratike mërgatën e kthen në motor të demokracisë, luftës ndaj korrupsionit, mjekësisë etj. Mërgatën e gjen të përfaqësuar në të gjithë zanatet ku ata jetojnë. Mërgata është bekimi i Kosovës
Sot ju kemi ftuar për t’iu njoftuar për dy aktivitete: “Karvani diasporës 2022” dhe programi për diplomaci publike.
Karvani i diasporës mbahet nga 27 korrik-7 gusht ku mërgimtarët do të shohin programin që ofrohet nga tri ministritë: Ministria Punëve të Jashtme, ajo e Kulturës dhe e Arsimit.
Kurse Zv.ministrja Liza Gashi, tha se në kuadër të platformës “Shijo Kosovën”, është mundësi bashkëbisedimi, argëtimi si dhe për këtë aktivitet kanë partneritet me disa ministri.
Ajo shtoi se angazhimi i diasporës ndërlidhët shumë me lokacionin ku ata jetojnë dhe ku i kanë familjarët.
“Nesër në Gjilan, hapet karvani që do të udhëtoj në qytete të ndryshme në orët e pasdites ku do të ndalemi në sheshet e komunave”, njoftoi Gashi.
























