Krerët e shtetit përshëndesin ratifikimin e Marrëveshjes me MCC-në
Valbona Thaçi/RTKLive
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë reaguar pasi Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen me MCC-në.
Osmani tha se vendimi i sotëm i Kuvendit paraqet angazhimin institucional më serioz drejt tranzicionit energjetik në Kosovë dhe konfirmimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mirëpres mbështetjen njëzëri në Kuvend, ku sot u ratifikua marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit për Programin e Kompaktit. Përveç konfirmimit të partneritetit strategjik me SHBA-në, vendimi i sotëm i Kuvendit paraqet angazhimin tonë institucional më serioz drejt trancizionit energjetik në Kosovë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.
Kurse Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka pozitë e opozitë për progresin e Kosovës dhe ndihmën e SHBA-ve.
"Ende pa u bërë 2/3 e një dite të vetme pas nënshkrimit të marrëveshjes në Washington DC, Kuvendi i Kosovës i kaloi 2/3 e deputetëve duke e ratifikuar atë sot. I falënderoj të gjithë dhe secilin nga 89 deputetët që me votën e tyre PËR ratifikuan grantin mbi 200 milionësh të MCC-së për energji e zhvillim. Mbështetja unanime e legjislativit për Programin Kompakt konfirmon ndikimin universal të saj: do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Republikës” ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.
Sipas tij nëpërmjet këtij granti, 'bashkë po e trasojmë rrugën për një të ardhme energjetike të qëndrueshme, të sigurt dhe të pastër'.
“Një investim gjigand që do të sjellë investime të reja”, ka shtuar Kurti.























