Goditi për vdekje 7-vjeçaren, përjashtohet nga radhët e policisë
Foto: RTSH
Shqipëri

Goditi për vdekje 7-vjeçaren, përjashtohet nga radhët e policisë

RTSH

Policia e Shtetit shqiptar ka reaguar në lidhje me ngjarjen e trishtuar sot në Potam, Himarë, ku humbi jetën një shtatëvjeçar, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë Komisar, Arjan Tase, me detyrë shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja.

Gjithashtu, është pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar, Shpëtim Hasanaliaj.

Drejtori Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.

Autori ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje. Policia i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Avdia, për humbjen e jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare.


APR
Romay Lift