Tragjedia në Himarë, protestë pranë Ministrisë së Brendshme
Shqipëri

Tragjedia në Himarë, protestë pranë Ministrisë së Brendshme

/rtsh.al/

Ka nisur pak më parë në Tiranë protesta pranë Ministrisë së Brendshme, nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti”. Protesta vjen pas tragjedisë së ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku një vogëlushe 7-vjeçare, Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga ish- komisari, Arjan Tase.

Protesta do të mbahet para Ministrisë së Brendshme, ku do të kërkohet dorëheqja e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nanos, si dhe ministres Mirela Kumbaro.

Disa qytetarë të pranishëm në protestë, u përpoqën të zhvendosen nga pedonalja Murat Toptani, përpara oborrit të Ministrisë së Brendshme. Kjo solli edhe përplasjen e policisë me protestuesit. 

Në protestë ka mbërritur edhe Sali Berisha, i cili shoqërohet nga Flamur Noka, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, Luan Baçi, Albana Vokshi.

“Mbështesim qytetarët. Sot jam si qytetar. Ka një vendim të prerë të PD, qytetarët nuk do jenë kurrë në protestë pa mbështetje. Është një protestë e organizuar nga qytetarë të revoltuar për një kauzë shumë të drejtë, e cila ka tronditur mbarë Shqipërinë, por jo qeveritarët, ndonëse vogëlushja u vra nga nja skafist i qeverisë. Qytetarët kërkojnë me të drejtë, dorëheqjen e Çucit dhe Kumbaros, por kreu i tyre që mbron veten e tij, deklaron nga dramat e përsëritura, deklaron se ky është sezoni më i organizuar në historinë e vendit. Në natyrën e një njeriu që nuk ndjen nga ana njerëzore asgjë, të një njeriu që do të shmangë çdo lloj përgjegjësie"- tha Berisha.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka mbërritur në protestën e organizuar para ministrisë së Brendshme. Meta tha se ministri i Brendshëm dhe ministrja e Turizmit duhet të dorëhiqen.

“Është e paralajmëruar sepse vetëm pak kohë më parë dy qytetarë u plagosën në Jalë në rrethana ta ngjashme. Asnjë masë nuk është marrë. Zgjidhja është protesta. Zgjidhja është dorëheqja e ministrave përgjegjës dhe kryetarëve të bashkisë ku ka ndodhur ngjarja ose shkarkimi i tyre. Sot protestohet që kjo situatë papërgjeshmëri të marrë fund, të mbrojmë fëmijët e shqiptarëve”, tha Meta.

Qytetarët kanë lënë Ministrinë e Brendshme dhe janë nisur drejt Kryeministrisë për të vijuar protestën. Ata kanë ndezur qirinj në shkallët e kryeministrisë, teksa në duar mbajnë pankarta. Ata kanë vazhduar me thirrjet për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, por edhe të kryeministrit, Edi Rama. Policia nuk ka krijuar koridor sigurie dhe po qëndron në distancë duke vëzhguar.


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA Shqipëri