Shqipëri, 19 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, angazhohen 342 forca
Shqipëri

Shqipëri, 19 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, angazhohen 342 forca

ATSH

Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Robert Hysenllari, informoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 19 vatra zjarri në vend.

Duke folur mbi situatën e zjarreve, Hysenllari tha se janë shuar vatrat në: fshatin Shqath, bashkia Dibër; në fshatin Shahinaj, bashkia Shijak; në fshatrat Dragobi dhe Bushat të bashkisë Tropojë; në fshatin Shkjezë, bashkia Vau-Dejës; në fshatin Nartë, bashkia Vlorë; në fshatin Kalivaç, bashkia Memaliaj; në fshatin Dëshiran, bashkia Belsh; në fshatin Drizë, bashkia Kuçovë; në fshatin Karbunarë e Vogël dhe Konjat të bashkisë Lushnjë; në fshatin Shtiqën, bashkia Vau i Dejës; në fshatin Selcë, bashkia Maliq.

Në operacionet e shuarjes së vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 342 forca operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi , Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 35 mjete zjarrfikëse.

Aktualisht, sipas tij, “janë aktive vatrat në bashkinë Shkodër, në vendin e quajtur “Maja e Zorgjit” në fshatin Ndërlysaj, i cili vijon prej 3 ditësh, në sipërfaqe pyjore me pyll pishe dhe terren malor që ka djegie brenda vatrës. Ditën e sotme janë angazhuar forcat Administratës së Zonave të Mbrojtura”.

Po ashtu vatër aktive ka në bashkinë Mat, në fshatin German, në një sipërfaqe pylli me pisha dhe lis në afërsi të Parkut Kombëtar të Qafshtamës, i cili është aktivizuar që me datë 1 gusht. Janë angazhuar në shuarjen e vatrave forcat e Bashkisë Mat të mbështetur nga Forcat e Armatosura. Situata tashmë është drejt përmirësimit dhe pritet ditën e sotme të arrihet shuarja e vatrave të mbetura.

Një tjetër vatër aktive është ajo në bashkinë Durrës, ku vijon zjarri i rënë me datë 19 korrik në fshatin Shetaj, i cili përgjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur rindezje të vatrave qofshin këto nga pakujdesia apo të qëllimshme. Edhe ditën e sotme vijon puna me mjete gërmuese për të hapur rrugën në mënyrë që të arrihen vatrat nga forcat operacionale dhe të kryhet shuarja përfundimtare e tyre.

Në bashkinë Kurbin vijojnë aktive vatrat në fshatin Skuraj dhe Malin e Bardhë, intensiteti i të cilave është i ulët. Ditën e sotme vijojnë angazhimin strukturat e bashkisë Kurbin për shuarjen përfundimtare të tyre.

Po ashtu, mbrëmjen e djeshme jemi njoftuar për një vatër zjarri në fshatin Bulshat të bashkisë Mirditë, në të njëjtën zonë të fikur disa ditë më parë. Shërbimi zjarrfikës ka reaguar menjëherë duke ruajtur perimetrin e sigurisë së zjarrit në mënyrë që të mos shfaqej rrezik ndaj banesave. Operacioni për shuarjen e vatrës së zjarrit vijon nga forcat zjarrfikëse dhe forcat e Bashkisë.

Hysenllari informoi se ditën e sotme është raportuar për një vatër zjarri në fshatin Rehovë të Bashkisë Poliçan, në sipërfaqe pyjore, për të cilën janë angazhuar menjëherë forcat e shërbimit zjarrfikës.

“Qytetarët që bëjnë djegie për hamulloret ose çdo djegie tjetër, duhet të drejtohen pranë strukturave përkatëse në mënyrë që të sigurohen që djegia të jetë e kontrolluar dhe të mos rrezikojë banesat e tyre. Gjatë këtyre ditëve në të gjithë vendin ka pasur erëra të forta në oraret kryesisht te drekës dhe ka favorizuar përhapjen e menjëhershme të vatrave, ndaj ju bëjmë thirrje sërish të tregoheni të kujdesshëm në raste të tilla dhe tregohuni bashkëpunues me strukturat e pushtetit vendor. Kujtojmë se zjarrvënia e qëllimshme dënohet sipas ligjit. Të gjitha forcat dhe kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për përgjigjen ndaj situatave të shkaktuara nga zjarri apo dhe çdo emergjence tjetër”, tha Hysenllari.


APR