Ekspertët e sigurisë: Bojan Dimiq, prijës i agjenturës ruse në veri të vend
BKT
Foto: KP
Lajme

Ekspertët e sigurisë: Bojan Dimiq, prijës i agjenturës ruse në veri të vend

KP

Agjentët sekretë serbë dhe rusë po gjejnë shtrirje në veri të Kosovës, ndërsa një nga figurat kryesore të BIA-s, Bojan Dimiq qëndron në krye të tyre, thonë ekspertë të sigurisë në vend.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu thotë për KosovaPress se Dimiq i kontrollon në tërësi këta eksponentë, të cilët i quan “idiotë të shfrytëzuar”.

Sipas Forumit për Siguri dhe Demokraci në Beograd, në Serbi veprojnë 4036 agjentë rusë, prej të cilëve 113 në shërbimin sekret serb BIA, 7 në presidencën e Serbisë, 27 në qeveri etj.

Musliu thekson se Bojan Dimiq, nivel i lartë i drejtorit në BIA, e i cili është dekoruar nga Aleksandar Vuçiqi, është njëri nga 113 agjentët rusë në BIA.

“Në këtë aspekt, po ka agjenturë ruse në Kosovë, sa i përket agjenturës së tyre, Bojan Dimiqi është përfaqësues i tyre dhe i kontrollon në tërësi këta eksponentë të cilët shumica e tyre quhen në gjuhë profesionale, idiotë të shfrytëzuar sepse nuk janë të vetëdijshëm për këtë shërbim”, thotë Musliu.

Duke ia përmendur përmbajtjen në llogaritë në rrjete sociale, Musliu thotë se Dimiqi tashmë është shndërruar edhe në një promovues, ose siç quhen agjent influencues të Rusisë.

“Bojan Dimiqi ka qenë një kohë udhëheqës prej drejtorëve të BIA-s dhe është agjenti kryesor i Federatës Ruse në Serbi. Përveç kësaj që është agjent i Rusisë i hapur, ka pesë apo gjashtë vite që vepron haptas si agjent i tyre, përveç që është zyrtarisht agjent i BIA-së është i rrezikshëm për faktin se është agjent influencues, sepse promovon çështjen ruse. Ka lidhje të drejtpërdrejta me presidentin Vuçiq, i cili e ka dekoruar dhe ka lidhje të drejtpërdrejta me shërbimet sekrete dhe të spiunazhit të Federatës Ruse (FSB) dhe GRU”, thotë ai.

Sipas tyre, agjentët rusë kontrollojnë edhe shërbimin sekret serb dhe një pjesë të madhe të jetës në Serbi. Në këtë mes, Musliu potencon edhe figurën e presidentit serb, Aleksandër Vuciq.

Se Rusia është e interesuar për të përdorur Serbinë për politika të vetat, e thotë profesori universitar, Arben Hajrullahu.

“Në qoftë se shikohet për një periudhë më të gjatë kohore me dekada, interesi rus gjithmonë ka qenë që me përdorë Serbinë si bazë për realizimin e politikave të veta ekspansioniste dhe në Serbi shpeshherë e ka gjetur një tokë pjellore për veprimet e veta, e kjo sidomos viteve të fundit është shpërfaqur në masë shumë të madhe. Pra, është pjesë e projektit ekspansionit rus, ku Serbia në mënyrë të vullnetshme, faktikisht është bërë vegël e Rusisë”, thotë Hajrullahu.

Sa i përket pretendimeve të shtetit serb për t’u integruar në Bashkimin Evropian, Hajrullahu thotë se është bukur vështirë e realizueshme pasi Serbia vazhdon të veprojë si një dorë e zgjatur e interesave ruse. Në të kundërtën, thotë se Serbia brenda BE-së do të ishte si “Kali i Tojës”.

“Mund të ndodh që teorikisht edhe mund të arrijnë një gjë të tillë, mirëpo atëherë Serbia do të ishte brenda Bashkimit Evropian si një kalë i Trojës, pra që të shërbejë interesave ruse, brenda Bashkimit Evropian. Edhe ashtu, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për Serbinë duket më shumë në rastin më të mirë i ngrirë, siç shihet në mosharmonizimin e politikës së jashtme por edhe të sigurisë me qëndrimet e Bashkimit Evropian”, thotë Hajrullahu.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Agim Musliu thotë se pa de-rusizimin e Serbisë, nuk mund të ketë integrim evropian.

Kujtojmë se një ditë më parë, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është arrestuar Daria Aslamova. Sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares.


MË SHUME NGA Lajme