Grenell i komenton ministrit Sveçla: Po krijoni precedent të tmerrshëm
Jeton Musliu / RTKlive
Aktualisht nuk ka asnjë post shtetëror dhe është thjesht një qytetar i lirë amerikan. Megjithatë, në administratën e presidentit Donald Trump, kishte post shumë të rëndësishëm.
Ky është ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, që ishte dhe ambasador i SHBA-së në Gjermani, i cili vazhdon të mbetet shumë i përfshirë në zhvillimet rajonale, qoftë duke vizituar rajonin, e më shpesh duke shkruar në rrjetet sociale për zhvillimet e ndryshme në këtë pjesë të botës.
Reagimi i tij i fundit është ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se rusja Daria Aslamova, u ndalua në të njëjtën ditë kur Policia e Kosovës u sulmuan nga bandat kriminale në veri të vendit.
“Të njëjtën ditë që u sulmua Policia e Kosovës nga bandat kriminale dhe gjashtë ditë pas incidenteve kriminale të së dieles, Daria Aslamova, e konfirmuar si spiune ruse e përfshirë në propagandë në Ukrainë, u ndalua duke tentuar të hyjë në Kosovë nga Serbia-dëshmi e pakundërshtueshme e ndërhyrjes së Rusisë në veri të Kosovës”, shkroi ministri Sveçla.
Ndaj këtij postimi në tëitter, reagoi Grenell, duke e cilësuar të gjithë rastin si një precedent të tmerrshëm.
Diplomati i administratës Trump u shpreh se Kosova ka çdo të drejtë të dëbojë individë pro-rusë (ose këdo) që nuk i pëlqen.
‘Por po krijoni gjithashtu një precedent për qeveritë e tjera që t'i ndalojnë zyrtarët e Kosovës që nuk u pëlqejnë…”, shkroi Grenell.
“Është një precedent i tmerrshëm”, duke shtuar se “po kështu është edhe refuzimi i stikersave për targat serbe”.
Reagimet në lidhje me këtë rast kanë qenë të shumta.
























