AZHBR: Akuzat për keqpërdorim të fondeve të BE-së, sulme të pavërteta
Shqipëri

AZHBR: Akuzat për keqpërdorim të fondeve të BE-së, sulme të pavërteta

ATSH

Agjencia për Zhvillim Bujqësor e Rural i cilësoi sot të pavërteta dhe sulme politike akuzat e ngritura ndaj saj për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian.

AZHBR informoi opinionin publik mbi “akuzat e pavërteta të subjekteve politike që synojnë të përbaltin punën e rëndësishme që është kryer nga AZHBR në vitet e fundit e cila ka kontribuar cilësisht dhe qenësisht për zhvillimin e bujqësisë shqiptare, modernizimin e saj dhe rritjen e punësimit në sektor”.

Sipas agjencisë, “alibia e papërgjegjshme e ngritur si një sulm politik mbi administrimin e AZHBR dhe ‘keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian’ është pa asnjë bazë, e pavërtetë dhe e dënueshme”.

Në emër të transparencës totale, AZHBR thekson se në bashkëpunim me Autoritetin Menaxhues në zbatim të plotë të procedurave të parashikuara nga Programi IPARD II, për çdo thirrje për aplikime ka marrë të gjitha masat për të orientuar dhe informuar aplikantët mbi Programin në mënyrë që të rritet mundësia për aplikime të suksesshme.

“Është hartuar Udhëzuesi për Aplikantët i cili është bërë publik së bashku me dokumentet standarde të aplikimit, dhe janë kryer fushatat informuese në të gjitha qarqet në Republikën e Shqipërisë ku në transparencë të plotë janë informuar aplikantët. Në transparencë të plotë, fushatat informuese janë kryer edhe nëpërmjet medies së shkruar dhe audiovizive. Është informuar publiku vazhdimisht mbi projektet e realizuara”, thuhet në njoftim.

Gjatë shqyrtimit të aplikimeve, AZHBR shprehet se “ka marrë të gjitha masat për të zbatuar në transparencë të plotë Programin IPARD II, mbi parimin e trajtimit të barabartë të çdo aplikimi në respekt të procedurave standarde të akredituara”.

“Në zbatim të manualit të procedurave dhe Udhëzuesit për Aplikantët, AZHBR shqyrton dhe verifikon gjendjen ligjore dhe financiare të subjekteve aplikantë duke kërkuar dokumente qartësisht të përcaktuara për të gjithë aplikantët njëlloj pa asnjë trajtim të diferencuar.
Kryen verifikimin e pastërtisë së figurës së aplikantit nëpërmjet dokumenteve si: vërtetim nga Ministria e Drejtësisë që aplikanti nuk ka qënë i dënuar më parë; vërtetim nga Prokuroria që aplikanti nuk është në hetim. Kryen verifikimin financiar nëpërmjet dokumentave si: Pasqyra e të ardhurave; licenca për ushtrimin e veprimtarisë bujqësore;
libra inventarësh për të gjithë pasuritë fikse të zotëruara nga subjektet; dokument nga Banka e Shqipërisë për të verifikuar se subjektet aplikante nuk janë kredimarrës të këqij”, thuhet në njoftim.

Bazuar në Udhëzuesin për aplikantë, AZHBR thekson se “çdo projekt verifikohet dhe përjashtohet nga granti vetëm nëse: janë të falimentuar ose në proces likuidimi, nëse aktiviteti i tyre administrohet nga gjykata, nëse kanë hyrë në marrëveshje me kreditorët, nëse kanë pezulluar veprimtarinë ekonomike apo nëse janë në proces gjyqësor lidhur me të tilla çështje”.

“Po ashtu nëse: janë dënuar për një kundërvajtje lidhur me sjelljen e tyre profesionale nga një vendim gjyqësor i formës së prerë; nuk kanë përmbushur detyrimet lidhur me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore ose pagesën e taksave; janë gjykuar me vendim Gjyqësor të formës së prerë për mashtrim, korrupsion, përfshirje në një organizatë kriminale apo çfarëdolloj veprimtarie tjetër të pa ligjshme që dëmton interesat financiare të BE-së; janë aktualisht subjekt i një gjobe administrative të përmendur në nenin 96 (1) të Rregullores Financiare”, thuhet në njoftim.

Në kushtet kur projekti nuk kategorizohet në asnjë nga pikat e sipërpërmendura, AZHBR shprehet se nuk ka kompetencë investigimi apo hetimi të proceseve por të konfirmojë bazuar në dokumentacionin provues nga institucionet kompetente.

“Subjektet e përmendura i janë nënshtruar verifikimit të plotë mbi statusin juridik, dëshmi penaliteti, vërtetim nga prokuroria/gjykata që nuk është subjekt nën hetim, si dhe kanë depozituar dokumentet që vërtetonin posedimin e ligjshëm të tokës objekt aplikimi, në përputhje me kriteret e aplikimit të cilat janë të njëjta për të gjithë. Të gjithë këto dokumente janë kërkuar për subjektet që përmenden në media dhe janë konform rregullave dhe kërkesave të akredituara”, thuhet më tej.

AZHBR sjell në vëmendje se është një institucion i akredituar nga Bashkimi Evropian dhe i monitoruar përmes filtrave të kontrolleve të brendshme e të jashtme nga disa institucione për respektimin dhe zbatimin me përpikmëri të kritereve të programit, politikave bujqësore dhe akteve ligjore dhe nënligjore të miratuara në zbatim të tyre.

“Transparenca është parimi kryesor i punës sonë dhe informacioni i plotë për çdo aplikim gjendet në faqen www.azhbr.gov.al. Çdokush që kontakton Agjencinë merr përgjigje shteruese me shkresë, email apo përmes numrit të gjelbër. Deklaratat e bëra ditët e fundit në media janë baltë e hedhur mbi AZHBR, për interesa politike dhe personale të individëve që i bëjnë ato, krejtësisht të pavërteta. Këto abuzime me tendencë nuk do të arrijnë të përbaltin kurrë punën intensive dhe me dedikim të 250 punonjësve të cilët kanë arritur ta kthejnë AZHBR në një institucion model në vend për efektivitet dhe transparencë”, thuhet në njoftim.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle