Haxhiu për RTK: Kurti u ka dhënë mbështetje keqpërdoruesve në SHSKUK
Rtklive
Lajme

Haxhiu për RTK: Kurti u ka dhënë mbështetje keqpërdoruesve në SHSKUK

N. Mekolli /RTKlive.com

Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, akuzon kryeministrin Albin Kurti se po amniston të korruptuerit. Sipas Haxhiut, abuzime e keqpërdorime ka pasur edhe në SHSKUK, ato sipas tij, kanë ndodhur në furnizime mjekësore, furnizim me ushqim, sigurimin e automjeteve, karburant për vetura, furnizim me pastrim, sigurim fizik të objekteve etj.

“Kurti në vend se të kërkonte përgjegjësi dhe llogaridhënie nga Bordi i SHSKUK-së për mbi 12 milion euro korrupsion e keqpërdorime në SHSKUK, që auditori i prezanton në raportin për vitin 2021, ka takuar dhe u ka dhënë mbështetje atyre që zyra e auditori kombëtar iu gjeti abuzime e keqperdorime me miliona euro hajni që nga blerjet e barnave e pajisjeve mjekësore e deri në transport të kufomave”, tha Haxhiu.

Deputeti Haxhiu, në “Lajmet e Fundit” në RTK, tha se ka pasur hajni e keqpërdorim deri edhe në procedurat e prokurimit për transport të kufomave për "Shërbime funerali Covid -19".

Ai përmend edhe raportin e auditorit për SHSKUK në vitin 2021, ku thuhet se në 61 raste në vlerë 7 milion e 864 mijë€, mungonte raporti i pranimit të mallit që do të duhej të përgatitej nga menaxherët e kontratave. Në 17 raste në vlerë 1 milion e 759 mijë€, urdhër blerjet ishin proceduar pas pranimit të mallit dhe faturës.

Haxhiu thotë se gjatë pandemisë ka pas shkelje të shumta, është pranuar mall pa fatura e dihet se pa kontrata nuk mund të furnizohet askush. Ai pret që prokuroria të nisë hetimet për raste të shumta të keqpërdorimeve, të cilat sipas tij i ka përmendur edhe auditori.

Sa i përket krizës energjetike, Haxhiu tha se është e vërtetë se ka pas një neglizhencë të udhëheqësve të KEK-ut sa i përket remonteve dhe investimeve në KEK, që të jenë kapacitetet e plota për prodhimin e energjisë. “Por tendenca për ta arsyetuara ngritjen e çmimit të energjisë me atë se ka krizë, do të ketë impakte”, tha Haxhiu


MË SHUME NGA Lajme