Kumbaro: Po përgatitet paketa e re ligjore për sigurinë e jetës në det
/rtsh.al/
Një ngjarje tragjike ndodhi më 2 gusht, ku 7-vjeçarja Jonada Avdiu u përplas për vdekje nga një gomone, me drejtues Arjan Tasen, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Pas tragjedisë, dy protesta u mbajtën në Tiranë para Ministrisë së Brendshme, ku u kërkua shkarkimi i Bledi Çuçit, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nanos dhe Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaros.
Kjo e fundit ka deklaruar për Deutsche Welle se autori i tragjedisë meriton dënim maksimal. Sipas ministres, ai theu çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe duke kryer manovra të rrezikshme. Ministrja bëri me dije se po përgatitet një paketë e re ligjore për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare.
"Kemi të bëjmë me një ngjarje ku një person krejt i papërgjegjshëm ka thyer çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe bërë manovra të rrezikshme, i cili meriton ndëshkim maksimal. Ne po bëjmë gati paketën e rregullave të reja për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare. Kemi kërkuar nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare monitorim të rreptë të hapësirës ujore në plazhe si edhe ndëshkime maksimale për kundravajtësit”, tha Kumbaro.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë vendosi më 5 gusht masën e sigurisë “arrest me burg” për Arjan Tase, drejtuesin e gomones që përplasi për vdekje në plazhin e Potamit në Himarë, 7-vjeçaren Jonada Avdiu.
Ministrja ka komentuar më tej turizmin në Shqipëri, ku tha se gjatë periudhës janar-korrik 2022 në Shqipëri erdhën 3,95 milionë turistë të huaj, krahasuar me 3,3 në vitin 2019, që konsiderohet si viti më i mbarë para pandemisë Covid-19.
"Shqipëria ofron një shumëllojshmëri atraksionesh turistike në një sipërfaqje kaq të vogël dhe ka çmime të lira në raport me vendet fqinjë, Greqinë, Italinë, Kroacinë apo Malin e Zi, që janë gjigandë të turizmit evropian dhe botëror”, tha Kumbaro. Ajo vë në dukje se potenciali i Shqipërisë është për një sezon turistik në 12 muajt e vitit.
"Synimi është që avantazh turistik të mos jenë çmimet, por oferta e një turizmi elitar, tërheqja e turistëve jo vetëm për detin, diellin dhe plazhet, por edhe për turizmin malor, natyror dhe kulturor apo për festivalet ndërkombëtare që po zhvillohen në Shqipëri”, tha Kumbaro.























