Kumbaro: Po përgatitet paketa e re ligjore për sigurinë e jetës në det
Shqipëri

Kumbaro: Po përgatitet paketa e re ligjore për sigurinë e jetës në det

rtsh.al

Një ngjarje tragjike ndodhi më 2 gusht, ku 7-vjeçarja Jonada Avdiu u përplas për vdekje nga një gomone, me drejtues Arjan Tasen, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. Pas tragjedisë, dy protesta u mbajtën në Tiranë para Ministrisë së Brendshme, ku u kërkua shkarkimi i Bledi Çuçi, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, si dhe ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Kjo e fundit ka deklaruar për Deutsche Welle se autori i tragjedisë meriton dënim maksimal. Sipas ministres, ai theu çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe duke kryer manovra të rrezikshme. Ministrja bëri me dije se po përgatitet një paketë e re ligjore për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare.

"Kemi të bëjmë me një ngjarje ku një person krejt i papërgjegjshëm ka thyer çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe bërë manovra të rrezikshme, i cili meriton ndëshkim maksimal. Ne po bëjmë gati paketën e rregullave të reja për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare. Kemi kërkuar nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare monitorim të rreptë të hapësirës ujore në plazhe si edhe ndëshkime maksimale për kundravajtësit”, tha Kumbaro.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë vendosi më 5 gusht masën e sigurisë “arrest me burg” për Arjan Tase, drejtuesin e gomones që përplasi për vdekje në plazhin e Potamit në Himarë, 7-vjeçaren Jonada Avdiu.

Ministrja ka komentuar më tej turizmin në Shqipëri, ku tha se gjatë periudhës janar-korrik 2022 në Shqipëri erdhën 3,95 milionë turistë të huaj, krahasuar me 3,3 në vitin 2019, që konsiderohet si viti më i mbarë para pandemisë Covid-19.

"Shqipëria ofron një shumëllojshmëri atraksionesh turistike në një sipërfaqje kaq të vogël dhe ka çmime të lira në raport me vendet fqinjë, Greqinë, Italinë, Kroacinë apo Malin e Zi, që janë gjigandë të turizmit evropian dhe botëror”, tha Kumbaro. Ajo vë në dukje se potenciali i Shqipërisë është për një sezon turistik në 12 muajt e vitit.

"Synimi është që avantazh turistik të mos jenë çmimet, por oferta e një turizmi elitar, tërheqja e turistëve jo vetëm për detin, diellin dhe plazhet, por edhe për turizmin malor, natyror dhe kulturor apo për festivalet ndërkombëtare që po zhvillohen në Shqipëri”, tha Kumbaro.

 


MË SHUME NGA Shqipëri