Dialogu Kosovë-Serbi
Elmine Osmani /RTK
Bashkimi Evropian po përgatit takimin e 18 gushtit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Nga Qeveria e Kosovës thonë se ende nuk kanë agjendë të takimit, ndërsa zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se agjenda e takimit do të publikohet më afër datës së takimit. Presidenti serb, Vuçiq, ka vazhduar me deklarata kërcënuese për mospranimin e targave RKS.
Një javë para se të mbahet takimi në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ndërmjetësi i takimit, Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur agjendën e takimit. Këtë e ka konfirmuar për RTK, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Ende nuk kemi një agjendë finale dhe një njoftim zyrtar mbi agjendën nga ndërmjetësuesi I procesit të Dialogut. Kryeministri është deklaruar të jetë i interesuar që më 18 gusht të diskutojë hapur mbi elementet përbërëse të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes e cila e bën normalizimin e plotë duke e pasur në qendër njohjen reciproke, thotë Kryeziu.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano në një përgjigje për RTK-në, ka thënë se BE është e përkushtuar në përgatitjen e takimit të 18 gushtit, ndërkohë që bën të ditur se agjenda e takimit do të publikohet më afër datës së takimit.
“Po fokusohemi në përgatitjen e takimit të nivelit të lartë ndërmjet presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel më 18 gusht, për të çuar përpara dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të mirën e njerëzve në Serbi dhe Kosovë”, ka thënë Stano.
Sot kryeministri Albin Kurti sërish ftoi qytetarët serb të Kosovës që t?i ndërrojnë targat e vjetra duke i kthyer në RKS, e ata qytetarë me shtetësi të Serbisë të pajisen me dokumentet për hyrje-dalje në Kosovë. Kurti po ashtu deklaroi se ekziston propagandë e madhe për vendimet e qeverisë që lidhen me reciprocitetin.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksander Vuçiq tha se Prishtina po përgatit sulm dhe likuidim të serbëve në Veri. Vuçiq veç akuzave të rënda, kërkon nga serbët që të mos pranojnë vendimet e Kosovës për targat RKS dhe dokumentet për hyrje-dalje.
“Prishtina ka vendosur që të gjithëve t?u vendosë targa RKS, e po u them nuk do ta bëjnë, po u them se njerëzit nuk do ta pranojnë. Dhe çfarë do të bëjmë atëherë”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq tha se po shkon në Bruksel për të biseduar, por nuk shpreson për ndonjë rezultat. “Shpresoj se dikush do të ketë një lloj ndikimi dhe kjo është arsyeja pse po i vendos shpresat dhe po shkoj në Bruksel”, thotë Vuçiq.
Ditë më parë kreu i qeverisë Albin Kurti është shprehur i përkushtuar në zbatimin e vendimeve të qeverisë për reciprocitetin.























