Hoxhaj kritikon Kurtin e Osmanin: Politika e jashtme pa strategji
RTKLive
Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i punëve të jashtme, Enver Hoxhaj ka kritikuar qasjen e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Ai ka thënë se deklaratat e Kurtit për zotim mes Kosovës dhe Serbisë që të mos e sulmojnë njëra-tjetrën dhe ajo e presidentes Osmani për nënshkrimin e traktatit me Shqipërinë për mbrojtje të ndërsjellë janë sllogane pa qëllime dhe pa strategji.
“As edhe në ëndrrën më të keqe nuk e kam paramenduar që politika e jashtme të lëkundet nga sllogani në sllogan, pa qëllime dhe pa strategji! Një sllogan nga Qeveria e dëgjuam në muajin janar të 2022, për një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia zotoheshin të mos e sulmojnë njëra-tjetrën! Një sllogan të ri e dëgjuam dje nga Presidentja e Kosovës për një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Sipas tij, konceptualisht, marrëveshja për mos sulm dhe ajo e traktatit të mbrojtjes reciproke, i takojnë kohës në mes të dy luftrave botërore!
“Ideja e traktatit të mbrojtjes është serioze vetëm nëse do të ishte diskutuar dhe koordinuar paraprakisht me Shqipërinë! Të mos shpallet vetëm si sllogan, duke pasur në krah, pa paralajmërim, Presidentin e Shqipërisë, që u zu në befasi dhe nuk tha asgjë në konferencë për media! Kosova ka një Partneritet Strategjik me Shqipërinë nga janari i 2014, i dalë nga mbledhje të qeverisë të përbashkëta, marrëveshje të nënshkruara, me sekretariat që koordinon tema dhe ku prioritet i lartë është fusha e sigurisë! Sigurisht, që ky mekanizëm do merrej me temën dhe përmbajtjen e traktatit para se të miratohej në Kuvend! Duket se nuk e dinë këtë? Por, të paktën, besoj që e dinë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që një traktat i tillë nuk ndodh pa koordinim me të!”, ka thënë tutje Hoxhaj.
Ai ka thënë se bashkëpunimi me Shqipërinë duhet të jetësi adresë kryesore e hartimit të Partneritetit Strategjik, por sipas tij shqetësimi kryesor është tek paaftësia e institucioneve tona për të shfrytëzuar mundësitë pas rastit të Ukrainës, për t'u bërë të paktën pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s!
“Agresioni rus duhet të përdoret për të rritur kapacitetin tonë ushtarak, për ta izoluar Serbinë në rajon dhe anëtarësuar Kosovën në NATO. Është ajo që po e mbron Evropën dhe mbron shtetet. Kur kryeministri javën e kaluar foli për luftën dhe presidentja këtë javë për traktatin e mbrojtjes, qëllimisht po mbjellin një armosferë frike, duke zëvendësuar temat e brendshme të krizës ekonomike dhe me sllogane të politikës së jashtme! Kosova, për shumë vite ka qenë e sigurt nga pikëpamja psikologjike, kurse në javët e fundit po udhëhiqet nga frika! Kjo nuk po bëhet për ta mbrojtur shtetin dhe sovranitetin, por për ta përmbushur egoizmin personal dhe populizmin partiak!”, ka nënvizuar deputeti i PDK-së.
Në fund, ai ka thënë se ‘kjo është kohë që kërkon vendosmëri, maturi dhe qëndrueshmëri’, teksa ka shtruar pyetjen për Kurtin e Osmanin nëse takimin e 18 gushtit në Bruksel do ta fillojnë nga mos sulmi, apo nga mbrojtja?























