Analistët politikë: Kosova ta shfrytëzojë momentumin
BKT
Lajme

Analistët politikë: Kosova ta shfrytëzojë momentumin

Fadil Sertolli / RTKlive.com

Analistët politikë në vend vlerësojnë se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin në dialogun Kosovë–Serbi, kjo për faktin se SHBA-të janë të përkushtuara që dialogu të zhvillohet me një ritëm më të shpejtë dhe të përmbyllet me marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve.

Një ditë para takimit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuqiq, analistët politikë thonë se takimi në Bruksel pritet të jetë i tensionuar dhe se nuk pritet marrëveshje konkrete.

Për analistin politik, Imer Mushkolaj, takimi Kurti-Vuçiq zhvillohet me qëllim të gjetjes së një rruge për zbatimin e reciprocitetit për dokumente personale dhe targa me sa më pak probleme.

“Tashmë shtetet e QUINT-it e kanë bërë të ditur se mbështesin vendimet e qeverisë për reciprocitet dhe mesazhi për Vuçiqin është i qartë”, tha Mushkolaj për RTKLive.

Natyrisht, sipas tij, Kosova ka obligime për themelimin e Asociacionit dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Tashmë po kërkohet që Asociacioni të krijohet bazuar në Kushtetutë, kurse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit duhet të zbatohet”, tha Mushkolaj.

Sipas tij, SHBA-të janë të përkushtuara që dialogu të zhvillohet me një ritëm më të shpejtë dhe të përmbyllet me marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve, andaj sipas tij ‘Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzojë këtë momentum’.

“Takimi me Stontelberg ka të bëjë me situatën e sigurisë në veri të vendit dhe konfirmimin nga NATO se nuk do të lejohet çfarëdo eskalimi i situatës. Tashmë KFOR-i ka shtuar praninë në veri në funksion të ruajtjes së stabilitetit”, tha tutje Mushkolaj për RTKlive.

Në anën tjetër, analisti politik Adrian Çollaku thotë se takimi në Bruksel pritet të jetë i tensionuar dhe pa një  marrëveshje konkrete.

“Takimi në Bruksel pritet të jetë i tensionuar dhe nuk pres marrëveshje konkrete. Në këtë takim ndër të tjera pritet të diskutohet për situatën në veri, pas paralajmërimit për vendosjen e masës së reciprocitetit nga ana e Qeverisë së Kosovës”, thotë Çollaku për RTKlive.

 Po ashtu Çollaku thotë se  në këtë takim mund të hapet edhe tema e Asociacionit.

“Sidoqoftë, edhe ky takim do të kalojë pa marrëveshje - pra thjesht “marrëveshje për t’u takuar”, tha Çollaku.

Ndërkaq, sa i përket takimit me sekretarin e NATO-s, sipas tij, kjo lidhet kryekëput me deklaratat e Kurtit e Vuçiqit për mundësinë e ndonjë “lufte”.

“Sekretari i NATO-s do t’ua ‘ngreh veshin’ liderëve të dy vendeve”, thotë Çollaku.

Ndryshe, sipas njoftimit të BE-së, takimi Kurti-Vuçiq, do të përqendrohet se si të avancohet dialogu drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve. Po ashtu, thuhet që do të trajtohen çështjet aktuale që kanë për synim zbutjen e tensioneve mes dy shteteve.

Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në kuadër të dialogut në Bruksel që nga korriku i vitit të kaluar.


MË SHUME NGA Lajme