SBASHK kërcënon me grevë nga 1 shtatori, pret reflektim të Qeverisë -Video
Rtklive
Lajme

SBASHK kërcënon me grevë nga 1 shtatori, pret reflektim të Qeverisë -Video

Arlinda Sejda - RTK

Sindikata e Arsimit (SBAShK) ka paralajmëruar se më 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë në grevë, në rast se deri nesër qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre. Në Ministrinë e Arsimit këtë e konsiderojnë të panevojshme, ndërsa ekspertët e arsimit thonë se çdo ditë që humb mësimi, pësojnë nxënësit.

Këto shkolla me 1 shtator, kur zakonshëm fillon procesi mësimor në Kosovë, mund të mbesin të zbrazëta. Mësimdhënësit pritet të hyjnë në grevë të përgjithshme. Kështu paralajmëron Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e cila i ka paraqitur Ministrisë disa kërkesa.

" Me ministren e arsimit kemi pasur disa takime mirëpo së fundmi ministra e arsimit është duke zhvilluar disa takime nëpër disa komuna të Kosovës me mësimdhënësit, nuk e di arsyen saktë por mendojmë që është duke i zhvilluar me qëllim që të mos hyjmë në grevë , mirëpo megjithatë të gjithë mësimdhënësit janë kategorik që nëse nuk realizohen kërkesat e tyre 1 shtatori do t'i gjejë mësimdhënësit në grevë , mirëpo në do t'i japim afat qeverisë që të reflektoj për atë arsye do ta fillojmë grevën një javë para fillimit të vitit shkollor, mirëpo megjithatë nëse fillon greva me 25 gusht atëherë mësimdhënësit nuk do të bëjnë kurrfarë parapërgatitje për fillimin e vitit shkollor dhe njëherësh testi kombëtar që është paraparë me 27 gusht nuk do të mbahet pasi që mësimdhënësit do të jenë në grevën e përgjithshme”, tha Vjollca Shala nga SBASHK-u.

Ditë më parë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nuk është koha për greva. Ajo ka paralajmëruar SBASHK-un se qeveria e Kosovës po punon shumë për ndryshime pozitive.

Sipas saj, grevat dhe protesta janë të panevojshme derisa ka thënë që bashkë me mësimdhënësit dhe SBASHk-un duhet të punojnë për ta përmirësuar rezultatet në arsim.

Eksperti i arsimit Rinor Qehaja, tha se këto greva e cenojnë drejtpërdrejt procesin mësimor, por kërkesa është legjitime dhe mësimdhënësit tanë meritojnë paga më të mira. Qehaja vlerëson që SBASHK duhet të  gjejë forma të tjera të reagimeve sindikale.

"Pas një periudhe të pandemisë dhe pas një pushimi veror një javë dhe vetëm një ditë më shumë  jashtë procesit mësimor do të kishte një impakt të jashtëzakonshëm te nxënësit qoftë në zhvillimin akademik por edhe atë kognitiv po ashtu”, tha Rinor Qehaja.

SBAShK-u po kërkon që deri në miratim të ligjit të pagave, punëtorëve të arsimit t’u shtohen 100 euro në pagë.


MË SHUME NGA Lajme