Lajçak gati për nesër, publikon fotografitë me Kurtin e Vuçiqin
Foto: Miroslav Lajçak/Twitter
Lajme

Lajçak gati për nesër, publikon fotografitë me Kurtin e Vuçiqin

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

I ngarkuari i BE-së që lehtëson procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë ka thënë se takimet shërbyen si parapërgatitje për takimin e së enjtes.

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak pas takimeve që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka ndarë fotografi nga këto takime.

Emisari Lajçak ka shkruar se këto takime ishin përgatitje për diskutimet e së enjtes.

“Në prag të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel, pata takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, për t’u përgatitur për diskutimet e ditës së nesërme”, ka shkruar në Twitter Lajçak.

Takimi mes kryeministrit kosovar dhe presidentit të Serbisë pritet të zhvillohet të enjten nga ora 10 e 30 e paradites.

Ky takim mes dyshes nga Kosova e Serbia vjen pas më shumë se një viti bllokadë të takimeve të këtij niveli në Bruksel.

Kurti e Vuçiq në fillim të majit u ulën në një tryezë bashkë në një darkë jo formale në Berlin me nikoqir Miroslav Lajçakun. Kjo darkë ishte zhvilluar pas takimeve që paraprakisht të dy liderët patën me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.


MË SHUME NGA Lajme