Haziri: Kryeministri Kurti s’e ka zgjidhur një çështje të vetme në dialog
Lajme

Haziri: Kryeministri Kurti s’e ka zgjidhur një çështje të vetme në dialog

Fadil Sertolli / RTKlive.com

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook ka kritikuar qasjen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti ndaj Serbisë në lidhje me çështjet që prekin Kosovën dhe Serbinë, duke përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi.

Madje, sipas tij, kryeministri Kurti takohet me presidentin Vuçiq “vetëm sa për t’u takuar”, por se nuk ka arritur asnjë marrëveshje me të.

“Deri tani, kryeministri i Kosovës ka pasur takime me presidentin serb sa për t’u takuar, por asnjë marrëveshje e re nuk është arritur. Është biseduar dhe dakorduar lidhur me metodat e implementimit të marrëveshjeve që janë arritur nga ish-kryeministrat e Kosovës”, ka shkruar Haziri.

Ai ka shkruar se ‘ende nuk e kemi parë Kurtin në veprim për të zgjidhur një çështje të vetme në agjendën e cila pritet të shtjerret së bashku me ndërmjetësin ndërkombëtar, që në këtë rast është BE dhe Lajcak në emër të përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe lehtësimit të vjen nga SHBA-të’.

Në takimin e nesërm, sipas tij, duhet ta kenë parasysh dhe prioritet negocimin sa më të shpejt të zgjidhjes së çështjeve që i kemi përpara.

“Natyrisht, me marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila përfundon me njohje reciproke dhe i obligon të dyja palët që ta zbatojnë dhe, mbi të gjitha, me këmbëngulësi dhe me vullnet politik duhet të insistojmë që kjo të përfundojë sa më parë sepse status-quo është armiku më i madh i Kosovës, e cila sjell tensione”, ka shkruar Haziri.

Në këtë rast, ai ka shkruar se, kapaciteti i gjetjes së zgjidhjeve tregohet, jo nëpërmjet policisë, por nëpërmjet dialogut.


MË SHUME NGA Lajme