Luiza Gega e para në bateri, kalon në finale
Sport

Luiza Gega e para në bateri, kalon në finale

RTSH

Luiza Gega ka arritur të sigurojë kualifikimin në fazën finale të Evropianit të Atletikës pas triumfit në garën e 3000 metrave me pengesa që u zhvillua ditën e sotme në Mynih.

Atletja shqiptare u konfirmua si një prej më të fortave në Evropë për këtë garë. Kampionia shqiptare fitoi baterinë e parë të garës së 3,000 metrave me pengesa dhe siguroi në këtë mënyrë vendin në finalen e Europianit të Atletikës “Mynih 2022”.

Sa i përket garës, Luiza nisi shkëputjen në gjysmën e dytë të garës, duke mos i lënë asnjë shans rivaleve të reagonin. Në të vetmin moment pasigurie, ku kthente kokën mbrapa të kontrollonte garueset e tjera, ndjekëset iu afruan. Megjithatë, Gega e rikuperoi distancën dhe kaloi e para në finish.

Rekordmenia kuqezi regjistroi kohën 9 minuta, 30 sekonda e 93 të qindtat dhe tashmë do të synojë medaljen e artë evropiane. Edhe pse në moshën 33-vjeçare, atletja shqiptare kërkon majën e podiumit, për një titull që i mungon.

Në vitin 2016 Luiza arriti të fitonte medaljen e argjendit në Evropianin që u zhvillua në Amsterdam.

Pritshmëritë janë të mëdha, edhe prej paraqitjeve të jashtëzakonshme të Gegës gjatë këtij edicioni. Në qershorin që kaloi, ajo u pozicionua e pesta në Botërorin e Atletikës, të zhvilluar në Oregon të Shteteve të Bashkuara. 


MË SHUME NGA Sport