Tuhina: Do të ketë konsulta intensive nga palët e BE-së me Kurtin e Vuçiq
Rtklive
Lajme

Tuhina: Do të ketë konsulta intensive nga palët e BE-së me Kurtin e Vuçiq

Muharrem Mifttari/RTKlive

(E plotësuar)Ka përfunduar takimi i sotëm, por jo raundi i sotëm, ndaj përpjekjet vazhdojnë, mbase bisedat do të vazhdojnë në nivel të kryenegociatorëve që në javën e ardhshme, sepse sipas BE-së ka akoma kohë që deri më 31 gusht të gjendet një zgjidhje.

Kështu bëri të ditur korrepsondetja e RTK-së nga Brukseli, Gjeraqina Tuhina, për RTK Prime.

Më tej ajo sqaroi se ky takim ishte  jashtëzakonshëm, nisur nga fakti për çfarë ka qenë i organizuar, meqë nuk ka qenë takim normal, por është ftuar si pasojë e situatës së tensionuar në veri të vendit.

“Pra ky takim kishte në fokus që të mos reprizohet situata e mëparshme, që ka ndodhur më 31 korrik”, theksoi ajo.

Ndërkohë Tuhina njoftoi se angazhimet evropiane e ndërkombëtare do të vazhdojnë edhe më tutje.

“Edhe sonte do të vazhdohet me takime e konsulta intensive mes të Lajçakut, i deleguari i veçantë i BE-së,  të Gabriel Escobar, emisari i veçantë i SHBA-së, me kryeministrin Kurti, si dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq”, bëri të ditur Tuhina.

Tutje, ajo theksoi se jozyrtarisht merret vesh se për të gjetur një marrëveshje, një zgjidhje, për gjendjen e krijuar tani në mes të Kosovës e Serbisë, janë angazhuar edhe liderë të rëndësishëm evropianë.

Bëhet e ditur se kancelari gjerman Olaf Scholz përcjellë ecurinë e takimeve në BE, ndonëse, jozyrtarisht thuhet se ka pasur telefonata nga liderët kryesorë evropianë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alejdandar Vuçiq.

(E plotësuar) Rrustemi: Kosova ka përkushtim dhe kreativitet për dialog

Lidhur me takimet e zhvilluara në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e  Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, foli për qëndrimet e kryeministrit Kurti në takimet e zhvilluara në Bruksel.

“Kosova ka shkuar atje për të diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare, ndërkombëtarisht e ligjërisht e obligueshme, që normalizon  plotësisht marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë, me njohjen në qendër, si dhe për të diskutuar për aktualitetin e tanishëm i krijuar së fundmi”, tha deputeti Rrustemi në RTK Prime.

Tutje, ai shtoi se kryeministri i Kosovës po mbron rregullin, sistemin kushtetues dhe ligjshmërinë.

Deputeti Rrustemi, mes tjerash, theksoi se Kosova është e interesuar të bëjë marrëveshje me Serbinë që në thelb ka reciprocitetin për çështje të caktuara e marrëveshjen përfundimtare me  njohje reciproke, në qendër.

Duke mos qenë në dijeni për veçoritë e takimeve që po mbahen në Bruksel, deputeti  Rrustemi shprehu bindjen se në takime bëhet fjalë për kornizën e marrëveshjes përfundimtare me njohjen në qendër e që, natyrisht, paraqet listën e kërkesave të vazhdueshme që i ka e do të duhej t’i paraqiste Kosova para Serbisë.

Më tej ai theksoi se Kosova ka konstruktivitet dhe përkushtim, sa i përket dialogut, por edhe kreativitet, sa i përket nxjerrjes së solucioneve ose propozimeve.

 


MË SHUME NGA Lajme