Ish- bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit u ndalohet të jenë deputetë
Rtklive
Shqipëri

Ish- bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit u ndalohet të jenë deputetë

rtsh.al

Ish- bashkëpunëtorët dhe të favorizuarit e Sigurimit të Shtetit, nuk do të mund të zgjidhen më as deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, as kryetar bashkish, as të jenë në qeveri si kryeministra apo anëtarë të kabinetit ministror, apo të votohen nga Kuvendi e këshillat në bashkiak apo ato të qarkut, për poste apo funksione në piramidën shtetërore.

Ky është thelbi i disa ndryshimeve që pritet të dërgohen në Kuvend në ligjin për dekriminalizimin, që lidhet me “Garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose ushtrojnë funksione publike”.

Ndryshimet

Ndryshimet në nenin 1 të këtij ligji janë hartuar tashmë nga grupi parlamentar i PS-së, dhe pritet të dorëzohen në Kuvend në ditët e para të shtatorit, kur nis edhe sesioni i ri parlamentar. Do të jetë Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ai i cili, mbi bazën e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, do të provojë se cilët janë bashkëpunëtorët apo të favorizuarit e ish- Sigurimit të Shtetit.

“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015  “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”,- thuhet në draftin e hartuar nga grupi i PS-së, që pritet të depozitohet në Kuvend.

Personat me mandate

Por ndryshimet në ligj nuk ndalojnë vetëm këtu. Edhe për ata persona të cilët mund të kenë mandat, apo janë zgjedhur në funksione të larta shtetërore, nëse provohet se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, do t’u ndërpritet mandati, si dhe do të shkarkohen nga detyra.

“Personave që janë duke ushtruar funksione të larta publike nga ato që përcaktohen në pikat 1 dhe 2 të këtij neni dhe provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit u ndërpritet mandati dhe shkarkohen nga detyra për këtë shkak ligjor dhe sipas procedurës përkatëse të shkarkimit të përcaktuar nga neni 10 ose neni 13 i këtij ligji”.,- thuhet në projektligj.

Masat shtrënguese

Drafti në fjalë sjell dhe masa shtrënguese, lidhur me funksionarët publikë që janë subjekt i këtij ligji, të cilët janë aktualisht në detyrë. Ata duhet të kryejnë vetëdeklarimin dhe ta depozitojnë pranë organit kompetent, sipas këtij ligji, brenda 2 muajve nga miratimi i formularit të vetë-deklarimit nga Kuvendi.

“Funksionarët publikë që janë subjekt i këtij ligji, të cilët janë aktualisht në detyrë, kryejnë vetëdeklarimin dhe e depozitojnë pranë organit kompetent, sipas këtij ligji, brenda 2 muajve nga miratimi i formularit të vetë-deklarimit nga Kuvendi. Verifikimi për herë të parë bëhet në përputhje me rregullat dhe procedurat për verifikim, të përcaktuara në këtë ligj”, - theksohet ndër të tjera në projektligj.   

Refuzimi

Në rast refuzimi për të përmbushur detyrimet e parashikuara nga ky ligj, lidhur me integritetin, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik.

“Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese”,- theksohet ndër të tjera në projektligj.


MË SHUME NGA Shqipëri