Para tri vitesh punonte në furrë buke, tani do të luajë në Ligën Premiere
Sport

Para tri vitesh punonte në furrë buke, tani do të luajë në Ligën Premiere

B. Halimi / RTKlive.com

Dje Wolverhampton përfundoi transferimin e Mateus Núñez nga Sportingu i Lisbonës për 45 milionë euro dhe ky është një shpenzim rekord për këtë klub.

Futbollisti 23-vjeçar ka nënshkruar kontratë me Premier League deri në vitin 2027. Por, vetëm deri para tre vjetësh, jeta e Núñez ishte shumë ndryshe. Ai u rrit në favelat e Rio de Zhaneiros dhe idhulli i tij ishte legjenda Ronaldinho.

Rruga e tij drejt suksesit nuk ishte aspak e lehtë, pasi tre vjet më parë ai punonte në një furrë buke për të siguruar ushqimin për familjen.

“Nuk kishim çfarë të hanim, nëna vazhdimisht ishte në punë. Për shkak të saj fillova të luaj futboll. Ajo është e gëzuar pa masë për mua dhe ende pyet se si në një mjedis të tillë nuk u bëra hajdut apo tregtar, por zgjodha sportin”, tha Nunes.

Puna për të nuk ishte zgjedhje e zemrës, por duhej ta bënte.

“Nuk kisha zgjidhje tjetër, më duhej të punoja në furrë për pesë apo gjashtë muaj. Pasdite isha në stërvitje ose ndeshje dhe në mëngjes punoja. Çdo ditë më duhej të qëndroja në këmbë për disa orë dhe më pas bëja stërvitje. Nuk ishte e lehtë, por kurrë nuk u dorëzova dhe besova se mund t'ia dilja mbanë”, ka treguar futbollisti i talentuar.

Wolwerhampton, të shtunën, luan kundër Tottenhamit, derisa në dy ndeshjet e para të edicionit ka regjistruar një barazim dhe një humbje.


MË SHUME NGA Sport