Hill: Bisedimet rezultuan në zhvillime pozitive
Anamari Repiq/RTK-Beograd
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, vlerësoi se edhe pse shumë janë të zhgënjyer që dje në Bruksel nuk ka pasur përparim në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, rezultati i këtyre bisedimeve është ende pozitiv.
Christopher Hill tha se dje ishte një ditë shumë e gjatë në Bruksel, pa rezultate mirëpo me një zhvillim pozitiv.
“Kishte shumë diskutime, takime, negociata. Natyrisht të gjithë janë të zhgënjyer që nuk mundëm të zgjidhnim çështjet afatshkurtra dhe afatgjata, por mendoj se ato bisedime rezultuan në zhvillime pozitive”, tha Hill në një video-mesazh dërguar Tanjugut.
Ai theksoi se është e qartë se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë dhe se ka një kuptim të përbashkët të çështjeve, si dhe një “kimi” të mirë. Kjo, beson ai, do të ndihmojë për të arritur përparim.
“Është e qartë se pala serbe ka ardhur në bisedime me frymë pozitive. Ata kanë punuar shumë për këtë çështje, janë përgatitur për të biseduar dhe negociuar, me qëllim të përparimit”, tha Hill.
Hill tha se kjo është e rëndësishme, “jo vetëm për bisedimet e ardhshme për Kosovën, por në përgjithësi për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë”.
“Ne kemi baza të shumta të përbashkëta për bashkëpunim. Jo gjithçka që bëjnë SHBA-të dhe Serbia së bashku duhet të lidhet me Kosovën”, tha Hill.
Ai shtoi se të dyja vendet duhet të bashkëpunojnë në lidhje me Kosovë, por përkujtoi se ka edhe shumë çështje të tjera për bashkëpunim.
“Jam i inkurajuar nga aspekti që pashë dje”, tha Hill.























