Bizneset: Reduktimet po na shkaktojnë humbje - Video
BKT
Lajme

Bizneset: Reduktimet po na shkaktojnë humbje - Video

Valjeta Shala RTK

Mungesa e energjisë elektrike, ka rikthyer në përdorim agregatet. Që nga dita kur kanë filluar reduktimet e rrymës, shumë biznese në vend po përballen me probleme për shkak të tyre.

Ato thonë se kjo situatë po u shkakton kosto shtesë të shpenzimeve dhe dëme nëpër biznese. Përdorimi i gjeneratorëve në ditët e fundit është bërë përditshmëri për shumë biznese në vendin tonë.

Kështu thotë Flamur Kelani, i cili e drejton një biznes në Prishtinë, ku për shkak të reduktimeve, po përdor alternativa të tjera alternative për furnizim me rrymë.

Ai thotë se kjo po i kushton me shpenzime shtesë.

 “Në këtë kohë jemi duke e shfrytëzuar gjeneratorin pasi në prodhim e kemi me patjetër energjinë. Jemi mundu me zhvillu edhe një alternative tjetër sikurse krijimi i një kapaciteti tjetër me energji alternative si panelet solare. Kjo në këtë situate kish me ndikuar sadopak me i lehtësu humbjet që po i pësojnë për shkak të rrymës", tha Flamur Kelani- pronar biznesi.

Zhurma e gjeneratorëve u dëgjua edhe në Fushë Kosovë.

Jeton Zogjani, pronar i një lokali në këtë anë, thotë se situata me energjinë ka prekur edhe biznesin e tij.

 “Vërtet është shqetësuese, trishtuese, përderisa po flasim në gusht por mandej.. Nëse vazhdon ky ritëm atëherë se di si kemi me ja dal deri në pranverë me këto rrethana. Kërkesa jonë imediate është t’i kemi gjerat bazike siç janë rrymë dhe ujë sepse janë dy faktorët që nuk zhvillohet jeta pa ta. Nëse këto dy mungojnë atëherë vendi do të jetë edhe i pa jetueshëm edhe i pa banueshëm", tha Zogiani.

Lidhur më këtë situatë, përmes një shkrese drejtuar kryeministrit Kurti dhe Qeverisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar që me urgjencë të ndërmerren masa ndaj humbjeve që po u shkaktohen bizneseve, si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike, të cilat gjatë kësaj jave janë të theksuara më shumë.

Përveç humbjeve financiare që po u shkaktohen bizneseve nga ndërprerjet e rrymës, sipas Dhomës së Tregtisë, atyre po u rrezikohet edhe tregu i shitjes.


MË SHUME NGA Lajme