Veliaj takon Zelenskin në Kiev: Rindërtojmë shkollat në Kharkiv
ATSH
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, po zhvillon një vizitë në Ukrainë, si pjesë e delegacionit të Asociacionit të Qyteteve Evropiane që do të mbështesin punën për rindërtimin e qyteteve të rrënuara nga lufta.
Në kuadër të kësaj vizite, Veliaj u prit në takime të veçanta nga presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski dhe kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Kliçko.
“Takim i shkëlqyer me presidentin Zelenski në Kiev, shumë mirënjohje për Shqipërinë
dhe Kryeministrin Edi Rama për mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mbështetjen për refugjatët dhe të gjitha format e ndihmës”, u shpreh Veliaj, pas takimit me presidentin Zelenski.
“Tirana është binjakëzuar me Kharkiv ku jemi angazhuar të rindërtojmë shkollat dhe të ndajmë ekspertizën në përpjekjen e rindërtimit”, tha ai.
Ndërsa ndau foto të vizitës në Ukrainë, Veliaj u shpreh krenar për presidentin e EUROCITIES, Dario Nardella, që mori drejtimin e 8 qyteteve të para për të nisur këtë proces në përpjekjen e rindërtimit, që shpresojmë të pasohet nga të tjerët
“Rimëkëmbja nga tërmeti ofron shumë mësime që ia vlen të ndahen”, tha Veliaj.























