Lirohen katër çekët që hynë pa leje në uzinën e Poliçanit
RTSH
Shtetasit çekë kanë deklaruar para policisë se nuk kishin qëllim të keq, por kanë humbur rrugën derisa po bënin fotografi në atë zonë.
Janë liruar katër shtetasit e Çekisë që u arrestuan një ditë më parë nga Policia e Shtetit të cilët kishin hyrë pa leje në Uzinën e Poliçanit. Këta katër persona do të hetohen në gjendje të lirë për shkelje të perimetrit të sigurisë. Dy prej këtyre shtetasve u kapën brenda ambienteve të uzinës duke fotografuar zonën, ndërsa dy të tjerët po qëndronin jashtë tuneleve.
Në deklaratën e tyre para policisë shqiptare kishin deklaruar se ishin turistë dhe nuk kishin qëllime të këqija. “Jemi turistë, po bënim foto, humbën rrugën dhe u futëm brenda në tunel. Nuk kemi qëllim të keq”, kanë deklaruar ata.
Ndërkohë më 20 gusht, dy shtetas rusë dhe një ukrainas u arrestuan pasi futën në uzinën ushtarake të Gramshit, duke plagosur dy ushtarë në tentativë për t’u larguar. Ata po hetohen për spiunazh.























