Procesi i legalizimit në kryeqytet, numri i aplikimeve jo i kënaqshëm
Majlinda Doda / Radio Kosova
Me 4 shtator, përfundon afati për aplikim për legalizim në Komunën e Prishtinës. Ky proces është vonuar, vlerësojnë nga Shoqata e Ndërtuesve në Prishtinë. Zyrtarët theksojnë se është dashur fushatë më e madhe për procesin e legalizimit.
Përkundër faktit se janë bërë gati dy vite prej kur ka nisur procesi i legalizimit në kryeqytet, numri i aplikimeve për legalizim nuk është i kënaqshëm. Deri tani rreth 5 mijë aplikime kanë shkuar në Komunën e Prishtinës për legalizim.
Faton Hoxha, nga Shoqata e Ndërtuesve, thotë për Radio Kosovën se ky proces është vonuar. Ai është skeptik se edhe draft- ligji i ri për legalizimet, do të sjellë ndryshimet pozitive në këtë drejtim.
“Komunat janë vonuar në formimin e grupeve punese për t’i shqyrtuar kërkesat e legalizimeve. Është numër i madh i objekteve pa leje që presin legalizimin. Aplikime ka pasur pak, ndërsa ligji i ri si duket do të ketë prapë ndryshime, sepse, sipas strategjisë, për legalizim asnjëra prej të dy formave që kanë përdor në fillim, nuk ka funksionuar”, ka thënë Hoxha për Radio Kosovën.
Është dashur fushatë më e madhe për procesin e legalizimit, sepse me atë i jep pronës vlerë materiale e hipotekare, thotë për Radion Kosovën ndërmjetësuesi për legalizim të objekteve nga Kompania “Geo Consulting”, Sabri Zylfiu.
“Dihet se këtë vit më nuk do të ketë shtyrje të afati. Kjo ka qenë mundësia e fundit, me 4 shtator. Problemin kryesor që unë e shoh është se njerëzit po i ikin kësaj, sepse po e lidhin me taksën në pronë dhe se nuk po iu përputhen metrat, sepse kjo është një evidencë e saktë e objekteve që janë pa leje. Objektet deri në 450 m kanë 1 euro pagesë, ato janë ndërtuar pas vitit 2004. Ndërsa ato mbi 450 m që janë ndërtuar më herët, ato kanë pagesë ka 2 euro për legalizim. Pas vitit 2004 janë pa pagesë të taksave, vetëm shërbimet e matjeve dhe përgatitjet e dokumentacioneve që ju bëhet, për objekte rezidenciale banesore 1 euro, për objekte afariste 1. 5 euro”, ka theksuar Zylfiu.
Ndërsa, arkitekti Valdet Osmani duke folur për Radio Kosovën, kërkon afat shtesë për aplikimet për legalizim.
“Unë besoj që duhet të shtyhet procesi dhe aplikimi të mundësohet edhe online dhe jo të shkohet të dorëzohet në komunë, pasi që po merr shumë kohë. Po ashtu përgjigjet nga komuna janë shumë të vonuara”, ka thënë ai.
Për t’u lehtësuar proceduara, Komuna e Prishtinës ka bërë një pilot projekt që parasheh lirimin nga pagesa e matjeve gjeodezike, për qytetarët që duan të legalizojnë pronën e tyre.
Ndryshe, 46 mijë ndërtime pa leje janë të evidentuara në incizimin e fundit të objekteve pa leje në Prishtinë. Komuna pati theksuar se të gjitha ndërtimet pa leje për të cilat nuk dorëzohet aplikacion deri në 4 shtator 2022, do të hyjnë në listën e rrënimit, bazuar për trajtimin e ndërtimeve pa leje.























