CONMEBOL kundër FIFA-s
B. Halimi / RTKlive
Konfederata e Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL) nuk do të pranojë propozimin e FIFA-s për ndryshime në sistemin e kualifikimeve duke filluar nga Kupa e Botës 2026.
Vendimi u miratua unanimisht nga mbledhja e Këshillit CONMEBOL në Kili. Ky vendim do t'i përcillet FIFA-s. Sistemi aktual përfshin 10 ekipe kombëtare në një grup dhe gjithsej 18 ndeshje për secilën kombëtare. FIFA njoftoi më herët për formatin e ri, në të cilin do të jenë dy grupe me pesë kombëtare.
Dy skuadrat e para nga secili grup do të kualifikoheshin drejtpërdrejt në Kupën e Botës, ndërsa skuadra e tretë dhe ajo e katërt do të luanin në ‘play-off’, ku fituesi do të kualifikohej në Botëror.
Për herë të parë, në Kupën e Botës 2026, që mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, do të marrin pjesë 48 skuadra.
Ndërkohë, në Botërorin e sivjetmë që mbahet në Katar nga Konfederata CONMEBOL do të marrin pjesë katër kombëtare: Brazili, Argjentina, Ekuadori dhe Uruguai.























