SPAK vijon hetimet ndaj Metës, i kërkon KQZ-së formularin e vetëdeklarimit
ATSH
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i është drejtuar me një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke i kërkuar formularin e vetëdeklarimit të ish-presidentit dhe kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në njoftimin zyrtar për mediet, SPAK sqaron se kërkesa është pjesë e hetimeve të nisura ndaj Metës pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri.
“Lidhur me një kërkesë që SPAK i ka drejtuar KQZ, sqarojmë se ajo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri. Hetimet vazhdojnë”, informoi SPAK.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, po kryen hetime në funksion të procedimit penal Nr.122, të vitit 2022. Për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal, kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të dorëzuar nga ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Metaj (Meta)”, thuhet në shkresën zyrtare të firmosur nga kreu i SPAK, Arben Kraja drejtuar KQZ-së.























