Shtyhet me 6 muaj qëndrimi i shtetasve afganë në Shqipëri
BKT
Shqipëri

Shtyhet me 6 muaj qëndrimi i shtetasve afganë në Shqipëri

ATSH

Qeveria vendosi shtyrjen e qëndrimit me muaj 6 muaj të tjerë për shtetasit afganë, që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Këshilli i Ministrave vendosi një shtesë në vendimin nr. 501, datë 25.8.2021, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi, me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në republikën islamike të Afganistanit, dhe për krijimin e Taskforcës për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare.

Në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit për azilin në Republikën e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi: “Pas pikës 2, të vendimit nr. 501, datë 25.8.2021, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje: “2/1. Me përfundimin e afatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, personave, që ndodhen ende në territorin e Republikës së Shqipërisë, u shtyhet qëndrimi dhe me 6 (gjashtë) muaj të tjerë”.

Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


MË SHUME NGA Shqipëri