Rama: Abetarja e unifikuar për gjithë fëmijët shqiptarë
Afet BELA/ RTKlive
Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, ka filluar të shpërndahet.
Për abetaren e unifikuar, sot ka shkruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. "GËZUAR ABETAREN E PARË TË UNIFIKUAR, krijesë e bashkimit të vullneteve të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, për të gjithë fëmijët shqiptarë këtej e andej bjeshkëve, e kudo ata ndodhen", ka shkruar Rama në "Facebook".
FOTO/ Nga profili i Edi Ramës në "Facebook"
Ndërsa Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka bërë me dije se më 1 shtator do të promovohet në Kosovë Abetarja e Unifikuar. “Sot është dita e parë që mësuesit tanë në të gjithë vendin kthehen nga pushimet dhe fillojnë intensivisht punën për t'u përgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor. Nuk mund të nisnim më mbarë se sa me trajnimet e para të mësuesve për Abetaren e Përbashkët Unike, e cila tashmë është gati dhe këtë shtator do të jetë në duart e çdo vogëlushi. Jam shumë e lumtur që në datën 1 shtator do të jem bashkë me Ministren Arbërie Nagavci në ditën e parë të shkollës në Kosovë, ku prej andej do të nisim promovimin e risisë më të bukur për të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Suksese dhe punë të mbarë për të gjithë mësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan Ministrja Kushi në rrjetin social Facebook.
Edhe Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ditë më parë në një deklarim për Radio Kosovën, tha se Abetarja tanimë ka përfunduar.
“Ne kemi pasur kujdes, sepse kalendari i fillimit të vitit shkollor nuk është i njëjtë në Kosovë dhe Shqipëri dhe kemi kërkuar që puna të përfundojë me herët, në mënyrë që Abetarja të jetë e gatshme për 1 shtator, kur edhe zyrtarisht fillon mësimi në Kosovë”, tha Pupovci.























