Endrit Krasniqi shpallet “Ylli i Javës” në Superligë
B. Halimi / RTKlive
Mesfushori kreativ i Prishtinës, Endrit Krasniqi është vlerësuar me çmimin “Ylli i Javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës. Ai me këtë çmim është vlerësuar për paraqitjen e mirë në ndeshjen e javës së katërt kundër Llapit, të cilën Prishtina e fitoi 2:1 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Vlerësimi është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Arben Zeqiri nga KFV Gjilani, Fatmir Mehmeti nga KFV Drita dhe Rifat Nasufi nga KFV KEK-u.
Krasniqi fillimisht nxori penallti në minutën e 13-të, të cilën në gol e konvertoi Kreshnik Uka, derisa më pas në minutën e 58-të shënoi golin që e vulosi fitoren e bardhekaltërve.
“Besoj që ky çmim është meritë e gjithë skuadrës, por natyrisht edhe e imja. Si unë personalisht, ashtu edhe i gjithë ekipi patëm paraqitje shumë të mirë në ndeshjen me Llapin, por në të njëjtin nivel kemi luajtur edhe në të ndeshjet e deritanishme. Mendoj që në Prishtinë është duke u bërë një organizim shumë i mirë dhe kjo na jep shpresë që të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe t'i marrim ndeshjet një nga një”, ka theksuar Endrit Krasniqi për faqen zyrtare të FFK-së, pas marrjes së këtij çmimi.























