Haradinaj: Do të shkoj në takim me Kurtin
J.Musliu/RTKlive
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti për takim.
Këtë qëndrim të tij, Haradinaj e publikoi në llogarinë e tij në Facebook.
"I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel”, shkroi Haradinaj.
“Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake”.
Më tej, ish kryeministri i Kosovës, u shpreh se këtë përcaktim e ka pasur edhe gjatë kohës sa e ka udhëhequr qeverinë e vendit.
“Gjithmonë kam konsideruar se për tema të interesit nacional, nuk ka qeveri dhe opozitë”, rikujtoi ai.
“Të gjithë e kanë pjesën dhe rolin e tyre. Megjithëse nuk mund ta lë pa e përmendur se Aleancën si parti, por edhe Opozitën në tërësi, kryeministri Kurti këtë herë i kishte përjashtuar nga çfarëdo konsultimi, apo edhe më keq, informimi, lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në Bruksel".
Haradinaj theksoi se u është mirënjohës të dërguarit amerikan Escobar, ambasadorit amerikan në Prishtinë, Hovenier, si dhe përfaqësuesit të BE Lajçak, për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në baza ditore na kanë mbajtur të informuar për krejt çfarë ka ndodhur në Bruksel.























