Grabitësit sulmojnë Aubameyangun në shtëpinë e tij
B. Halimi / RTKlive
Sulmuesi i FC Barcelona, Pierre-Emerick Aubameyang u grabit në shtëpinë e tij në afërsi të Barcelonës, në orët e mëngjesit të së hënës, tha për CNN zyra e shtypit e Departamentit të Brendshëm të qeverisë katalanase.
“Mund të konfirmojmë se lojtari është grabitur nga sulmuesit me armë”, tha zyra e shtypit.
Një zyrtar i klubit të FC Barcelona konfirmoi se kishte një grabitje në shtëpinë e lojtarit, por tha se Aubameyang është mirë.
Zyra e shtypit e policisë rajonale të Katalonjës refuzoi të identifikonte emrin e viktimës, por tha se "kishte një grabitje të dhunshme në një shtëpi në Castelldefels, një qytet afër Barcelonës, rreth orës 1 të mëngjesit me orën lokale".
Policia rajonale tha se sulmuesit "hynë me dhunë në një shtëpi për të kryer një grabitje".
Zyrtari i klubit tha se Aubameyang, 33 vjeç, ishte me ekipin të dielën mbrëma, në stadiumin ‘Camp Nou’ në fitoren e tyre 4-0 ndaj Valladolidit.
Departamenti i Brendshëm i Katalonjës tha se çështja është nën sekretin gjyqësor, ndërsa policia po i vazhdon hetimet.
Disa raporte të shtypit spanjoll, duke cituar burime policore, thanë se sulmuesit kishin armë dhe kërcënuan Aubameyangun dhe gruan e tij.























