Jahjaga: Organet e drejtësisë t`i dënojnë sulmuesit me forcën e ligjit
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Ish- presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga ka reaguar ashpër ndaj rastit të dhunimit të vajzës së mitur 11 vjeçare në kryeqytet.
“E shokuar nga dhunimi seksual i një vajze 11 vjeçare në Kosovë. Në atë moshë, kur vajza duhet të jetë duke e krijuar imazhin e saj për botën ideale, një sulm i tillë i lë pasoja të paimagjinueshme, me të cilat kjo vajzë, viktima më e fundit e një sulmi seksual, duhet të jetojë përgjithmonë”, ka shkruar ish-presidentja.
Jahjaga u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që t'i dënojnë sulmuesit me të gjithë forcën e ligjit, ndërsa organet e tjera të merren me rehabilitimin psikologjik të viktimës.
“Shoqëria jonë duhet t'i dënojë ashpër veprimet e tilla, si dhe të gjithë ne kolektivisht duhet të punojmë që viktimave tu japim gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Jahjaga.
Jahjaga ka thënë se aktet e tilla çnjerëzore nuk i kanë hije Kosovës.
“Kemi mjaft plagë të hapura. Dhuna ndaj grave e vajzave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë!”, ka përfunduar reagimin ish- presidentja.
























