Kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës, diskutohen te "Zona e Parlamentit"
RTKlive
Ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi ka komentuar zhvillimet e fundit rreth gjendjes së sigurisë në Kosovë, e kërcënuar nga Serbia sidomos javëve të fundit. Eksperti Gashi ka folur në emisionin “Zona e Parlamenti”, që transmetohet të martën prej orës 22.00 në RTK.
Ai ka theksuar se kërcënimet që vijnë nga presidenti Aleksandër Vuçiq, janë më tepër pjesë e një lufte propagandistike. Sipas tij, KFOR-i është garanci që Serbia nuk mund ta sulmojë ushtarakisht Kosovën, pavarësisht gjuhës kërcënuese që përdor Beogradi zyrtar.
Profesori Gashi ka potencuar se ky është një moment i favorshëm për vendosjen e reciprocitetit të plotë me Serbinë. Ai ka adresuar kritika ndaj qeverisë së Kosovës, e cila sipas tij, ka dështuar të zhvillojë dialogun e premtuar me serbët lokalë.
Gjatë këtij emisioni, ish-ministri i Brendshëm, foli edhe për Strategjinë për Sigurinë, një dokument që është në Kuvend dhe pritet që të diskutohet e miratohet. Ai konstaton se ka disa mangësi dhe të meta, por më mirë që është bërë një dokument i tillë, sesa pa strategji fare.
Gashi kritikoi pushtetin se nuk po e reformon policinë e Kosovës, si institucion me peshë në ruajtjen e sigurisë e stabilitetit. Ai vlerësoi rritjen e kapaciteteve dhe performancës së FSK-së
Gjithashtu, eksperi Bejtush Gashi ka komentuar te “Zona e Parlamentit” edhe propozimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që iu bë homologut të Shqipërisë, presidentit Bajram Begaj për një traktat bashkëpunimi në fushën e sigurisë.
Ai theksoi se një marrëveshje e tillë për shkak të rrethanave nuk do të nënshkruhej nga kreu i Republikës së Shqipërisë.
“Zona e Parlamentit” është një emision politik në RTK, që drejtohet nga Blerim Haxhiaj dhe transmetohet çdo javë prej 22.00 në RTK.























