Kurti: Me opozitën ndava të gjitha informacionet mbi procesin e dialogut
BKT
Fotot: Elmina Osmani /RTK
Lajme

Kurti: Me opozitën ndava të gjitha informacionet mbi procesin e dialogut

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Pas takimit me liderët e dy partive opozitare nga tri sa janë në Kuvendin e Kosovës, kryeministri i Albin Kurti u shpreh para mediave se ka ndarë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku e atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, gjithçka që ishte relevante lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti tha se me liderët opozitarë, përveç atij të PDK-së Memli Krasniqi i cili refuzoi pjesëmarrjen në këtë takim, u informuan me të gjitha detajet sa i përket këtij procesi.

Duke iu kundërpërgjigjur kryetarit të LDK-së i cili tha se kanë marrë informacione nga ndërkombëtarët para se të informohen nga kryeministri Kurti, ky i fundit tha se nëse ata kanë informacione relevante që u janë  dhëna nga  ndërmjetësit, ndoshta do të duhej  të tregojnë se cili është ai informacion.

“Sa i përket njoftimit për çështjet kryesore për temat dhe diskutimet, si ka shkuar, nuk janë absolutisht të painformuar”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se me liderët e partive opozitare ka diskutuar detajet e dialogut dhe beson në një bashkëpunim të shtuar.

Kryeministri më tej para mediave u shpreh se ka gatishmëri dhe interes që sa më shumë t’i njoftoj edhe partitë politike të cilat nuk ishin në takim, duke aluduar në PDK-në e cila ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim.

“Që të kuptojnë se Qeveria jonë është edhe e përgjegjshme në dialog edhe llogaridhënëse në lidhje me dialogun”.

Kryeministri foli edhe për 1 shtatorin kur edhe fillon zbatimi i marrëveshjes për njohjen e dokumenteve reciproke të identifikimit mes Kosovës e Serbisë.

 “Vazhdon fushata për konvertimin e targave nga ato që i ka lënë regjimi i Millosheviqit e Serbia e secilit pushtet që e ka vazhduar, tek ato që janë legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës dhe kjo do të vazhdojë deri më 31 tetor”, tha kryeministri.

Ai ftoi të  gjithë qytetarët e komunitetit serb që janë shtetas të Kosovës që ta  shfrytëzojnë iniciativën  që konvertimi i targave bëhet për të mos paguar TVSH-ja, akciza e taksa doganore.

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Dialogu i copëzuar në interes të Serbisë

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar lidhur me takimin e 18 gushtit, ndërsa shtoi se ftesa nga kryeministri ishte e vonshme.

Abdixhiku u shpreh para mediave se kryeministri Kurti ka bërë një prezantim të gjashtë pikave të cilat tashmë janë të njohura për publikun.

Kreu i partisë së dytë opozitare në vend deklaroi qëndrimin e tij  lidhur me procesin e dialogut. “Ne besojmë që dialogimi i copëzuar është në interes vetëm të Serbisë”, tha Abdixhiku.

Ai u shpreh se kryeministri Kurti duhet të tregohet i guximshëm dhe të shkojë në dialog për të kërkuar marrëveshje finale me njohjen reciproke në thelb të saj.

“I kërkojmë kryeministrit që të jetë i guximshëm dhe të shkojë në dialog për të kërkuar marrëveshje finale me njohje reciproke ne thelb të saj, me respektim të Kushtetutës dhe respektim të integritetit territorial në thelb të saj”, tha kreu i LDK-së.

“Është në dorë të kryeministrit që të bëjë këtë që është obligim i tij”.

Sipas kryetarit të LDK-së, marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës janë obligime kushtetuese për çdo qeveri.

“Besojmë që ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese mbi asociacionin që duhet respektuar dhe duhet të jetë bazë e organizimeve të ardhshme që me këtë rast në Kosovë duhet t’i implementojmë”.

Kreu i LDK-së u shpreh se kryeministrit Kurti, gjithashtu i ka kërkuar që të raportojë në Kuvend të Kosovës para se të shkojë në dialog dhe pasi që të kthehet.

“Ai u pajtua për këtë”, u shpreh Abdixhiku duke iu referuar kryeministrit Kurti.

“Presim që procesi i dialogut të marrë hapa të rinj zhvillimor dhe të sigurojë njohje sa më parë:, tha Abdixhiku.

Për më tepër, ai rikujtoi se kjo duhet të bëhet në rrugëtim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e me presidentin Biden.

Haradinaj i kërkon Kurtit që dialogu të kalojë tek presidenti Joe Biden

Ka përfunduar takimi i ftuar nga kryeministri Albin Kurti, me liderët e partive opozitare parlamentare.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se kryeministri Kurti duhet të kërkojë zyrtarisht që procesi i dialogut të kalojë te presidenti i ShBA-ve, Joe Biden.

Pas takimit që zgjati rreth një orë e gjysmë mes Kurtit, kryetarit t LDK-së, Lumir Abdixhiku e atij të AAK-së, Ramush haradinaj, ky i fundit tha se  secili që udhëheq me dialog nuk duhet t’i harrojë  tri parime:  integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetutshmëria e Kosovës.

Duke folur para mediave pas takimit me kryeministrin Kurti, kryetari i AAK-së tha se ia ka tërhequr vërejtjen kryeministrit  për strategjinë e Serbisë që të shkohet me marrëveshje një nga një dhe rrezikut që nëse Serbia arrin ndonjë sukses me marrëveshjen e Asociacionit, ajo të çohet nga tavolina dhe të mos e vazhdojë më dialogun.

“Ngjashëm ka vepruar edhe në konferencën e Ramubjesë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj u shpreh se  BE-ja ka kryer një punë të rëndësishme në procesin e dialogut, por se tashmë ajo nuk është më neutrale shkaku i luftës me Rusinë.

“Por në rrethanat kanë ndryshuar dhe BE nuk është më neutrale tashmë sikurse e gjithë bota është në luftë me Rusinë. Mendoj që është koha që edhe Kurti zyrtarisht të kërkoj që çështjen e dialogut ta kaloj te presidenti Biden”.

Nis takimi Kurti-Abdixhiku-Haradinaj, mungon Krasniqi

Ka filluar takimi i ftuar nga kryeministri Albin Kurti me kryetarët e dy partive opozitare, nga tri sa janë gjithsej, e që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim i cili ka filluar rreth orës 15:00, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, pozitivisht ftesës së kryeministrit u janë përgjigjur kryetarët e LDK-së dhe AAK-së.

Lumir Abdixhikun e LDK-së është duke e shoqëruar nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, kurse kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, është duke e shoqëruar nënkryetari Ardian Gjini nga kjo parti.

Ndërkohë, kryeministrin Kurti, është duke e shoqëruar në këtë takim, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi.

Ftesën për këtë takim e ka refuzuar Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, i cili në përgjigje ka thënë se është i gatshëm të takohet me kryeministrin Kurti, vetëm  në rast se është në pyetje marrëveshja finale me Serbinë.

Ftesa e kryeministrit Kurti për takim me partitë politike opozitare, pason arritjen e marrëveshjes me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq që Kosova e Serbia të  njohin dokumentet e identifikimit të njëra-tjetrës, duke filluar nga 1 shtatori.

Gjithashtu, bazuar në deklarimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, pritet që ditëve të ardhshme të ketë takime të tjera, për të diskutuar çështjen e targave, të pagjeturit e luftës etj.

 


MË SHUME NGA Lajme