Vlora Nushi nga UNWomen: Duhet të reformohemi si shoqëri
BKT
Lajme

Vlora Nushi nga UNWomen: Duhet të reformohemi si shoqëri

Muharrem Miftari/RTKlive

(E plotësuar) Duke e shprehur solidaritetin me viktimën 11 vjeçare dhe familjarët e saj, sidomos me nënën e saj, Vlora Tuzi, Nushi, përfaqësuese në UNWomen, theksoi se sistemi i Drejtësisë çalon, pavarësisht me ligjet e miratuara, të harmonizuara me konventat ndërkombëtare, por edhe me Konventën e Stambollit që, tashmë, është pjesë e Kushtetutës.

“Jam e mërzitur me dënimet që janë dhënë në këto raste, nuk po mund të besoj se në raste të tilla dhune të jepet dënimi me gjobë. Ai nuk ka vjedhur diçka nga ndonjë shitore, ai thjeshtë, e ka shkatërruar një ardhmëri të një vajze”, tha ajo.

Ajo duke u bazuar në statistikat e Forenzikës, tha se mbi 70 për qind të dhunimeve janë vajza të mitura dhe duket se ende duhet bërë më shumë sesa që është bërë.

“Si përfaqësuese e Kombeve të Bashkuara, mendoj gjithnjë se a kemi bërë të mjaftueshmen për këtë shoqëri, apo çfarë duhet bërë më shumë dhe mendoj se duhet të reformohemi “, tha, mes tjerash, Vlora Nushi në Info Plus.

(E plotësuar)  Zv. Ministrja Shala apelon për kujdes lidhur me të dhënat e personave të mitur

Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, bëri të ditur se është themeluar një grup i veçantë që quhet Grup i Përgjigjes Emergjente, që është themeluar në bazë të dakordësisë brenda grupit koordinues  ndërministrorë për parandalimin e dhunës në familje.

Brenda këtij grupi janë përfaqësues të Policisë së Kosovës, mbrojtësve të viktimave, Prokurorisë, Gjykatës, punëtorëve socialë,si dhe Ministrisë për Punë të Brendshme.

Ajo foli edhe për aktivitetin e këtij grupi, i cili sipas saj, u dakordua për punën që ka të bëjë me parandalimin e këtyre rasteve, sikundër rasti i djeshëm.

“Si koordniatore kombëtare e këtij institucioni ftojmë të gjithë aktorët shoqërorë, qoftë edhe mediet dhe institucionet tjera të kenë kujdes në raportimet e ngjarjeve të tilla, që kanë të bëjnë me dhënat e personave të  mitur, përfshirë këtu edhe këtë rast”, deklaroi zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, në Info Plus.

 Ajo mes tjerash sqaroi se sa më shumë të marrim informata rreth ngjarjes, aq më shumë rrezikohet identiteti i viktimës, ku, sipas saj, një gjë e tillë nuk i bën nder as Policisë, as Prokurorisë, Hetuesisë, por as të mbijetuarës, e cila është viktimë dhe, praktikisht, po rrezikojmë ta riviktimizojmë me hapat që po ndërmerren, pa dashur që ta arrijmë atë rezultat.

Tutje, zëvendësministrja e Drejtësisë, njëherësh  koordinatore ndërministrore në Grupin e Përgjigjes Emergjente, Nita Shala, theksoi se, me gjithë faktin se dhuna në familje ekziston, po punohet në shtimin e aktiviteteve për të identifikuar sfidat dhe për të gjetur zgjidhjet për të dalë nga kjo gjendje ku jemi tani si shoqëri.


MË SHUME NGA Lajme