Sllovenia emëron Anzej Franges, emisar për Ballkanin Perëndimor
Jeton Musliu/ RTKlive
Pas SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe e Gjermanisë, për Ballkanin Perëndimor caktohet edhe një emisar.
Këtë herë është Sllovenia që ka caktuar diplomatin Anzej Franges, që të merret me këtë rajon.
Shteti i ish -Jugosllavisë, tashmë anëtar i BE-së, ka vendosur të shikojë më afër situatën në këtë pjesë të rajonit.
Është ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë dikur raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, që ka bërë të ditur se vendi i saj ka emëruar Anzej Franges, si të dërguar special për Ballkanin Perëndimor.
Një deklarim të tillë, Fajon e bëri në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni, ku takoi edhe të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, teksa shtoi se pret bashkëpunim.
Në disa publikime në Twitter, ministrja e Jashtme, Fajon, njoftoi se ajo dhe i dërguari special i Sllovenisë, Franges, kanë diskutuar se si shteti i tyre mund t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian bashkë edhe me situatën në rajon gjatë një takimi kolegë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Në këtë forum po merr pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
























