Shkarkohet Gledis Nano, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë
BKT
Foto: RTKLive
Shqipëri

Shkarkohet Gledis Nano, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë

RTSH

Është shkarkuar nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Lajmin e bëri me dije këtë të mërkurë Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku sqaroi se shkak për shkarkimine Nanos ishte mosrealizimi i objektivave të vendosura.

Çuçi e vuri theksin e ngjarjet e fundit kriminale në vend, ku tha se duhej të kishte patur një reagim më të fortë dhe menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit.

“Sot qeveria mori vendim për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, shkarkim që lidhet me mospërmbushjen e objektivave që kishim vënë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që normalisht kërkon një reagim më të fortë dhe menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit. Për momentin detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë dhe shumë shpejt do emërojmë edhe për emërimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit”, tha Çuçi.

I pyetur nëse  ai vetë mban përgjegjësi për situatën e krijuar dhe drejtimin e Policisë së Shtetit, ministri u përgjigj se shkarkimi i Nanos është një masë efikase për një reagim të fortë të policisë.

“Qeveria ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të tij është masë efikase për të pasur një reagim më të fortë  të policisë në luftën kundër krimit”, u shpreh Çuçi.

Gledis Nano u emërua në krye të Policisë së Shtetit në tetor të vitit të kaluar, duke pasuar në këtë detyrë Ardi Veliun i cili dha dorëheqjen. Megjithatë mënyra e drejtimit të  Policisë sëShtetit u vu në diskutim si pasojë e ngjarjeve të shumta kriminale të ndodhura në javët e fundit në vend.

Ndër ngjarjet me të rënda janë vrasja e trefishtë në Fushë Krujë mesditën e 17 korrikut, ku u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklent Vata, ekzekutimi i dyfishtë në Vlorë paraditen e 18 gushtit ku vranë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, vrasja e efektivit të policisë Çaush Saliasi nga kolegu i tij brenda në Komisariat dhe ekzekutimi me tritol në Tiranë i 27 vjeçarit, Aleksandër Sadikaj mesditën e 11 qershorit. Ndërkohë, një nga emrat më të fuqishëm të botës së krimit, ai që konsiderohet si “Mbreti i lojërave të fatit’, Ervis Martinaj është zhdukur, por policia ende nuk ka mundur që të zbardhë vendndodhjen apo të vërtetën rreth këtij pretendimi. Probleme nuk janë shënuar vetëm me krimin, por edhe brenda radhëve të dikasterit blu, ku në 6 muajt e parë të vitit 2022 ranë në pranga 23 punonjës policie, ndërkohë 188 efektivë janë nën hetim.


MË SHUME NGA Shqipëri