Shqipëri, ulen çmimet e naftës e benzinës
BKT
Shqipëri

Shqipëri, ulen çmimet e naftës e benzinës

rtsh.al

Bordi i Transparencës ka publikuar sot çmimet e reja të karburanteve, ku është ulur me 9 lekë çmimin e naftës që duke filluar nga sot, do të shitet me 239 lekë për litër.

Ulje pësoi edhe çmimi i benzinës, me 2 lekë, ku tashmë do të shitet me 199 lekë për litër. Ndërkohë është ulur me një lek edhe çmimi i gazit, duke shkuar në 78 lekë për litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot (31 gusht) ora 14:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Njoftimi i plotë i Bordit:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të  jetë jo më shumë se 239 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 227 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN  të  jetë jo më shumë se 199 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 187 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet.

( Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 31 Gusht ora 14.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi i transparencës që ne krijimin e tij i është përmbajtur me përpikëmëri në vendimet e tij  lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin,benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve.

Ministria e Financës ndjen detyrimin të sqaroj opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njejtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës. Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ.  Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetem me ndryshimet  në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim. Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e angazhuar në mbrojtje të interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurencës së ndershme në treg.

Situata që po kalojmë nuk është zakontë,  ndaj dhe vendimet që marrim, vijnë si përgjigjje e zhvillimeve të ekonomisë vendase, por edhe e lëvizjeve të tregjeve ndërkombëtare. Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.


MË SHUME NGA Shqipëri