Shkarkohet Drejtori i Policisë së Shtetit, Çuçi: Nuk përmbushi objektivat
BKT
Shqipëri

Shkarkohet Drejtori i Policisë së Shtetit, Çuçi: Nuk përmbushi objektivat

ATSH

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se, “ky shkarkim lidhet me mos përmbushje të objektivave që kishim vënë në lidhje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe kryesisht lidhet me situatën e krijuar në muajt e fundit”.

Çuçi theksoi se kjo situatë kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të Policisë së Shtetit.

Detyrat do t’i ushtrojë nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë, Tonin Vocaj deri në emërimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.

I pyetur nga mediet për situatën e rendit në vend, Çuçi tha se, “sigurisht puna do të jetë e gjithanshme, por këto që përmendët ju kanë qenë dhe një nga arsyet kryesore që Policia e Shtetit dhe drejtuesi kryesor i Policisë së Shtetit kërkon një reagim më të fortë ndaj gjithë këtyre fenomeneve dhe një menaxhim më efikas”.

Ndërsa pyetjes së gazetarëve për ndryshimin e kreut të SHISH, Çuçi tha se nuk është shkarkuar, por se është emëruar nëndrejtori i SHISH-it Oljan Kanushi.

“Është bërë plotësimi i një vakance të mbetur peng prej kohësh për shkak të kontradiktave apo konfliktit të lindur midis institucionit të presidentit dhe SHISH-it, një vakancë që u plotësua sot pikërisht me z. Kanushi”, sqaroi ministri.

Gledis Nano u emërua si Drejtor i Përgjithshëm në 6 tetor 2021 pas dorëheqjes së Ardi Veliut.


MË SHUME NGA Shqipëri