Në transmetim direkt, gazetari i RTK-së, teston zbatimin e marrëveshjes
BKT
Foto: RTKLive
Lajme

Në transmetim direkt, gazetari i RTK-së, teston zbatimin e marrëveshjes

J.Musliu/RTKlive

Për të parë se si po funksionin procedura e kalimit kufitar me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, për të kaluar në territorin e Serbisë, gazetari i RTK-së, Hysni Demaku, vendosi që ta provojë vetë.

Derisa raportonte nga pika kufitare në Bërnjak, që ndan Kosovën dhe Serbinë, gazetari Demaku, në transmetim të drejtpërdrejtë, vendosi të kalojë në territorin serb.

Ai me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, kaloi tek policia kufitare e Serbisë, të cilëve u prezantoi dokumentin identifikues të shtetit të Kosovës.

Në raportim të drejtpërdrejtë në RTK, në edicionin e  lajmeve të orës 11:00, gazetari Demaku, pasi kaloi për disa hapa në Serbi, u rikthye në territorin e Republikës së Kosovës.

Ai tha se gjithçka shkoi në rregull dhe procedura e kalimit të kufirit ishte shumë e lehtë, ku pritja ishte vetëm një minutë, vetëm derisa iu bë verifikimi i dokumenteve.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar me 27 gusht që heqin dhënien e letrave për hyrje/dalje në pikat kufitare.

Kjo pasi Kosova vendosi që të vendosë masë reciprociteti ndaj Serbisë ku qytetarët serbë që do të prezantonin dokumente të Serbisë në kufi me rastin e hyrjes në Kosovë, t’u jepej një letër për hyrje/dalje me vlefshmëri prej 90 ditësh.

Një veprim të tillë Serbia e bën që nga viti 2011, bazuar në marrëveshjen e Brukselit.

Megjithatë, Serbia kundërshtonte masën e reciprocitetit të vendosur nga Kosova dhe bisedimet në Bruksel, bën që të hiqet fare dhënia e letrave për hyrje/dalje.

Në këtë mënyrë, Serbia dhe Kosova ia njohin letërnjoftimet njëra-tjetrës për kalime në pikat kufitare.

 


MË SHUME NGA Lajme